Finalizohet operacioni policor i koduar “Diesel”, ku si rezultat i aksionit është bërë e mundur kapja dhe vënia në pranga e 2 shtetasve, për mbajtjen e rreth 80 000 litrave naftë të kontrabanduar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës informon se, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në vijim të veprimeve hetimore dhe si rezultat i punës profesionale policore, në kuadër të operacionit “Diesel”, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe vënien në pranga të shtetasve: F. A., 65 vjeç, banues në Durrës, kapiteni i peshkarexhës dhe N. Xh., 53 vjeç, banues në Durrës, mekaniku i peshkarexhës. Policia bën të ditur se, si rezultat i aksionit është bërë e mundur kapja dhe vënia në pranga e dy shtetasve të shpallur në kërkim; kapiteni dhe mekaniku i peshkarexhës, të cilët kishin përshtatur një depozitë në peshkarexhë, për mbajtjen e rreth 80 000 litrave naftë të kontrabanduar, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore. “Nga veprimet hetimore të kryera, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, Policinë Kufitare, Degën Doganore Durrës, Antikontrabandën Detare dhe FSPD Port Durrës, rezultoi se këta dy shtetas, së bashku me shtetasin në kërkim A. M. (administrator i peshkarexhës), kishin dalë në det, pa njoftuar kapitenerinë dhe Policinë Kufitare, me qëllim marrjen e një sasie prej rreth 80 000 litrash naftë dhe futjen e saj kontrabandë. Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë gjetën të përshtatur një depozitë në peshkarexhën e këtyre shtetasve, për mbajtjen e naftës së kontrabanduar. Peshkarexha, së bashku me sasinë e naftës, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Vijon puna për kapjen e shtetasit A. M., si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale”, thuhet në njoftim. Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.https://ata.gov.al/2022/08/04/fshehen-80-000-litra-nafte-ne-pranga-2-shtetas/