Frati françeskan At Çiprian Nika

0
1

Pater Çiprian Nika, i cili në pagëzim mori emrin Dedë, lindi në Shkodër më 19 korrik 1900. I mbetur jetim që në moshën pesë vjeçare, ndoqi shkollën fillore dhe të mesme tek fretërit në Shkodër, kurse studimet për Teologji i kreu në Austri. Zhgunin françeskan e veshi më 16 tetor 1916 dhe kushtet solemne i dha më 16 shtator të vitit 1921, ndërsa më 25 korrik 1924 u shugurua meshtar në qytetin e Romës në Itali. Gjatë jetës së tij ndërmori disa role kryesore si: mësues i novicëve dhe i klerikëve, gardian dhe definitor, provincial i françeskanëve (1938-1941) si dhe gardian i kuvendit të Shkodrës nga viti 1943 e deri në fund të jetës së tij.

U arrestua së bashku me At Pal Dodaj nga Janjeva, Jugosllavi, me akuzën e vendosjes dhe fshehjes së armëve në altarin e kishës, me paramendimin për të zhvilluar një kryengritje të armatosur. Në datën 28 dhjetor 1947, trupi gjykues me kryetar Misto Bllacin dhe tre anëtarë të tjerë e dënuan At Ciprian Nikën me vdekje me pushkatim. Vendimi u ekzekutua me 11 mars 1948, jashtë mureve të varrezave, në orën 5 të mëngjesit, në Zallin e Kirit, në Shkodër. Fjalët e tij të fundit të shkruara në procesverbalin gjyqësor qenë: “Rroftë Krishti Mbret! I falim armiqtë tanë. Shqipëria nuk vdes me ne!” Më 5 nëntor 2016, u shpall i Lum në sheshin para Katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër.