Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIFrance24: Shqipëria, destinacioni i ri

France24: Shqipëria, destinacioni i ri

Shqipëria me bukuritë e saj historike, kulturore dhe natyrore vijon të tërheqë vëmendjen e medieve ndërkombëtare. Televizioni France 24 ka transmetuar për publikun francez një reportazh për Shqipërinë, ku ata njihen me atraksionet turistike të vendit tonë. Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale reportazhin e publikuar nga France 24, ndërsa theksoi se “Shqipëria e bregdetit dhe e kulturës, e Gjirokastrës dhe Beratit si qytete të UNESCO-s, e ushqimit fantastik, e infrastrukturës dhe modeleve të zhvillimit, të gjitha në këtë reportazh në televizionin France24 si një dhuratë fundviti për gjithë publikun francez, që nis të mendojë qysh tani për pushimet e sezonit tjetër”. Një destinacion i injoruar për shumë kohë, Shqipëria kombinon kulturën me bregdetin, dhe ofron një alternativë ekonomike ndaj plazheve të famshme greke. Një destinacion ende jo i njohur mirë, por që nuk do të mbetet i tillë për shumë kohë. Reportazh Në pamje të parë, ky vend ka tendencën të të ngjallë paksa mosbesim, edhe për shkak të disa filmave të vjetër klishe që e përshkruajnë vendin si jo të sigurt e jomikpritës për të huajt, duke e lidhur me veprimtarinë e mafies dhe trafikimet. Por kur mbërrin në aeroportin e Tiranës, surprizohesh. Jo vetëm që standardet ndërkombëtare janë mëse të respektuara, por përkundrazi, asgjë nuk ndryshon nga mbërritjet në fqinjin italian. Fillimisht Tirana, kryeqyteti shqiptar që është në fazën e metamorfozës dhe për vitin 2022 është njëkohësisht kryeqyteti evropian i rinisë, ofron një panoramë shumë moderne me ndërtesat e saj të reja, por edhe me godinat historike si bashkia e qytetit, me stilin e kohës së Musolinit, apo xhamia e saj qindravjeçare që ia vlen të vizitohet. Ky qytet që harmonizon stilin osman me atë sovjetik, ofron një mori ngjyrash pastel. Në qendër, sheshi i famshëm Skënderbej është një pikënisje e mirë për të çelur atmosferën. Një shëtitje natën, për shembull, do t’ju tregojë të gjithë vrullin e kryeqytetit shqiptar. Sheshi kryesor i Tiranës fitoi çmimin për hapësirën më të mirë publike në Europë për vitin 2018. Sipas kryetarit të bashkisë së Tiranës, të riut energjik Erion Veliaj, këtu është menduar gjithçka për t’ua “lehtësuar jetën vizitorëve”. Vendi që doli nga komunizmi në vitin 1992 mbart ende plagët e historisë së tij të dhimbshme. Diktatori Enver Hoxha, adhurues i Francës që kishte studiuar atje, e mbushi qytetin me një mori bunkerësh që janë ende të dukshëm dhe të hapur për publikun, si shenjat e një lufte të ftohtë, që shënjoi vendet e Ballkanit. Shqipëria është e mbushur me atraksione turistike Shqipëria ndodhet në Evropën Jugore, plot me atraksione turistike. E shtrirë në bregdetin e Adriatikut, Shqipëria ka shumë plazhe me rërë dhe ka qytete të mirënjohura bregdetare, siç është Durrësi, qyteti i dytë më i madh në vend, me 200.000 banorë dhe porti kryesor i vendit, që ndodhet vetëm 30 minuta nga Tirana. Themeluar nga ilirët në vitin 627 para lindjes së Krishtit, Durrësi është një nga qytetet më të vjetra të Evropës. Amfiteatri romak i qytetit, i ndërtuar në shekullin e dytë para Krishtit, është një nga më të mëdhenjtë të Perandorisë Romake, që mund të mbajë deri në 20,000 spektatorë. Vendosur në qendër të qytetit, ky amfiteatër është tashmë i rrethuar nga ndërtesa banimi, që së shpejti do të prishen, për të rishenjtëruar vendin. Më në lindje të vendit, dy orë me makinë nga kryeqyteti, rekomandohet të vizitoni qytetin e Beratit, i shpallur trashëgimi botërore e UNESCO-s, i famshëm për gurët e tij të vjetër dhe shtëpitë tipike. Berati quhet qyteti i një mbi një dritareve, prej shtëpive të vjetra në shpatin e kodrës, ku dritaret duken kaq të shumëta, në një paletë ngjyrash që mbeten gjatë në kujtesë. Nga ura e qytetit mund të shihni një pamje panoramike të kësaj bashkësie arkitektonike, një nga më të bukurat në vend. Një qytet antik ku ndikimet osmane përqafojnë ndërtesat moderne. Pas një shëtitjeje të bukur nuk duhet humbur në majë të qytetit kalaja madhështore, e cila duhet eksploruar në këmbë. Për të pushuar, Restorant Klea në majë të kodrës, do t’ju ofrojë një strehëz tepër paqësore. Një gjyshe aty gatuan pjatat tradicionale të vendit. Qoftet dhe musaka-ja e tyre janë mbresëlënëse! Bérenger Thibaut, një francez që jeton këtu prej vitesh, është i bindur për pasuritë turistike të Shqipërisë. Drejtor i agjencisë së specializuar në pritjen e turistëve, “Holidays Albania”, ai vë bast për bumin turistik që e pret Shqipërinë, dhe i këshillon francezët që të vijnë këtu përpara se turizmi masiv ta pushtojë këtë vend ende të ruajtur mirë e kaq mikpritës. Nëpërmjet agjencisë së tij, Hicham dhe Carole, një çift francez nga Lioni, erdhën për të vizituar Shqipërinë dhe Beratin në veçanti, duke zgjedhur formulën Autotour: “Ne jemi të pavarur dhe kemi lirinë e plotë të qëndrojmë në një vend ose ta ndryshojmë itinerarin sipas dëshirës tonë”. Hicham vlerëson veçanërisht mikpritjen e shqiptarëve: “Unë jam me origjinë libaneze. Mendoj se ka shumë ngjashmëri në sjelljen e njerëzve. Është një vend shumë i bukur dhe vizita më bëri të ndryshoj këndvështrimin tim”. Por për të qëndruar aty, duhet të largoheni pak nga qyteti, të bujtni në mes të natyrës, për shembull në Roshnik ngjitur me Beratin, te Agrista, streha e agroturizmit. Do të humbisni në vreshtat që i përkasin të njëjtës familje prej dekadash. Pronari qëndron i palëkundur në historinë e vendit si dhe në mënyrën e tij të të bërit raki, një pije vendase shumë e fortë që përmban 45% alkool, si dhe verën e tij. Pamja 360 gradë e maleve dhe fushave përreth është e mrekullueshme. Një tjetër xhevahir historik i vendit, Gjirokastra, perla e fshehur e Ballkanit, e njohur zakonisht si qyteti i gurtë, me një arkitekturë unike në të gjithë botën, që daton që nga epoka osmane është një tjetër perlë e njohur nga UNESCO që ia vlen të vizitohet. Mos e humbisni vizitën e kalasë së qytetit. Melodi nga Korsika dhe Luberoni Pas kulturës, nisuni drejt plazhit. Këtu, infrastruktura rrugore është e mirëmbajtur; autostrada do t’ju çojë në jug brenda një kohe të shkurtër, sepse për plazhet shqiptare ia vlen ta bësh këtë rrugë. Nga Vlora e më tej, peizazhet të lënë pa frymë. Një rrugë spektakolare dhe madhështore përmes malit që zhytet drejt detit. Panorama madhështore që nuk kanë asgjë për të pasur zili nga fqinji grek. Në det të hapur, do të shihni brigjet e ishullit të Korfuzit. Një rrugë shpesh gjarpërueshe, që të jep mundësinë për të admiruar spektaklin e detit, që ndryshon me ritmin e dritës kudo të pranishme, përpara se të mbërrish në Dhërmi, ndër vendet e para bregdetare të zhvilluara në Shqipëri. Vendosur në detin Jon, plazhi Sanur është një nga vendet më të preferuara. Atmosferë shik, beach bar-e moderne, pra asgjë për t’u patur zili nga Saint-Tropez, por me çmime shumë më të lira. Mbi Dhërmiun, mos e humbisni fshatin e vjetër. Gurët e vjetër i japin të gjithë zonës një frymë Italiane. Në majë, qëndronte dikur një kishëz; ndërtesë tashmë e restauruar dhe e shndërruar në një hotel-butik luksoz: Zoé Hora. Këtu gjen pak frymë nga Riviera Franceze. Pronari Laurens, i cili ka kryer studimet në Greqi përpara se të kthehej këtu për të krijuar këtë parajsë paqeje, donte të nxirrte në pah bukurinë e thjeshtë të vendit. Një vend disi diskret, me një pishinë marramendëse, një restorant e një kantinë shumë të mirë pajisur: Saint Emilion, Château Margot, Cristal Roederer… Luks në qetësi dhe intimitet. Dhërmiu është në fakt një përzierje e Ibizës me një fshat të vogël, tradicional e të largët: energji e re por edhe traditë. Për të qëndruar aty, Hotel Natali, që mban emrin e vajzës së vogël të pronarëve Tony dhe gruaja e tij Helen, është një hotel tipik familjar i cili i ofron pushuesëve dhoma të mëdha, me ballkone me pamje nga deti. Një vend që frekuentohet si nga turistët e huaj, po ashtu edhe nga shqiptarët, e që ofron një kuzhinë tipike vendase. Në kthim, pak më larg, ndodhet fshati sharmant i Himarës dhe kalaja e saj e lashtë. Gurë të vjetër të bardhë që të kujtojnë Greqinë fqinje. Hardhitë zbukurojnë rrugicat e ndriçuara nga dielli. Disa shtëpi të braktisura i japin qytetit një bukuri të vjetër. Një vend me çmime të pakrahasueshme Me pak fjalë, Shqipëria mund të përjetojë të njëjtin bum turistik si fqinji kroat, sepse i ka të gjitha vlerat! Një vend që tërheq prej kohësh turistë që duan pushime ekonomike, sepse një nga avantazhet që ka, janë çmime e ulëta, por gjërat ndryshojnë. Në vitin 2021, 5.3 milionë turistë kanë vizituar Shqipërinë; i njëjti nivel me periudhën përpara Covid. Shqipëria është padyshim destinacioni që duhet zbuluar, përpara se të zbarkojnë masivisht turistët. Një sinjal: grupi Accor që ka 65 milionë klientë në mbarë botën, do të hapë disa hotele aty. Një fushë kjo ende pak e zhvilluar në vend. ATA

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments