Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen emëroi francezin Stéphane Séjourné si zëvendëspresident ekzekutiv për strategjinë industriale në komisionin e saj të ardhshëm.

Séjourné, ministri i Jashtëm francez në largim, u propozua nga Parisi pas dorëheqjes së papritur të ish-komisionerit të tregut të brendshëm të BE-së, Thierry Breton.

Breton tha se ”von der Leyen i kishte kërkuar presidentit francez Emmanuel Macron të emëronte një kandidat tjetër në një “shkëmbim politik për një portofol më me ndikim në formimin e tij të Komisionit”.

Franca i ka dhënë përparësi portofoleve industriale, teknologjike dhe ekonomike në formimin e komisionit të ri, i cili do të mblidhet pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian në qershor.