Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës.
“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron, i cili shtoi se u kërkua që të qartësohen edhe rregullat për zgedhje.
Osmani e konfirmoi se Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, ia bënë këtë kërkesë gjatë takimit të tyre në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, dhe shtoi se u tha atyre që “ne jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë, në bazë të ligjit të Kosovës për zgjedhjet lokale”.
“Rreth 20 për qind në listat e votuesve mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes tij mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim ligjin”, tha Osmani.
Ajo shtoi se Vuçiçit iu kërkua që të mos u bëjë presion qytetarëve lokalë në veri të Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhje.
“Ai nuk u përgjigj, por unë shpresoj që qytetarët do të lejohen që përdorin të drejtat e tyre”, shtoi Osmani.
Ndërkohë, Macron gjithashtu tha se gjatë javëve të ardhshme do të ketë “vendim të qartë” për situatën në veri të Kosovës dhe se për këtë gjë u pajtuan gjatë takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët lokalë – presidenten Osmanin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Pas këtyre takimeve, Scholz tha se diskutimet me liderët lokalë ishin “serioze dhe intensive”, shkruan REL.
Osmani dhe Vuçiçi kanë zhvilluar takime të ndara me udhëheqësit evropianë, në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau.
Situata në veri të Kosovës u tensionua qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb. atsh