Franca do të ashpërsojë masat për përdorimin e telefonave celularë në shkollat ​​e mesme, duke i rekomanduar nxënësit e moshës 11 deri në 15 vjeç të mbyllin pajisjet e tyre në një dollap ose çantë në fillim të ditës dhe t’i përdorin ato sërish vetëm kur të largohen, sipas “The Guardian”.

Ministrja e Arsimit Elisabeth Borne, ka kërkuar Senatit që fëmijët të shmangen plotësisht nga telefonat e tyre gjatë oratit mësimor në të gjitha shkollat ​​e mesme franceze që nga shtatori.

“Në një kohë kur përdorimi i ekraneve po vihet gjerësisht në pikëpyetje për shkak të efekteve të dëmshme, kjo masë është thelbësore për mirëqenien dhe suksesin e fëmijëve tanë në shkollë”, tha Borne.

Në vitin 2018, Franca i ndaloi fëmijët të përdorin telefonat celularë në të gjitha shkollat ​​e mesme – të njohura si kolegje.

Telefonat duhet të qëndrojnë të fikur në çantat e shkollës dhe nuk mund të përdoren askund në mjediset e shkollës, duke përfshirë edhe kohën e pushimit.

Shkollat ​​kanë raportuar një efekt pozitiv, me më shumë ndërveprim social, më shumë ushtrime fizike, më pak ngacmime dhe përqendrim më të mirë.

Por disa raporte thanë se disa fëmijë hynin fshehurazi në tualete për të parë video në telefon në orën e pushimit.

Tani qeveria sugjeron se është e nevojshme të veprohet më tej, duke i larguar plotësisht fëmijët nga pajisjet e tyre telefonike gjatë gjithë orarit të shkollës.

Kjo “pauzë digjitale” e detyrueshme – siç e quan qeveria franceze – është testuar në një skemë pilot në rreth 100 shkolla të mesme për gjashtë muajt e fundit, me fëmijët që heqin dorë nga telefonat e tyre pas mbërritjes në ambientet mësimore – duke i vendosur në një dollap me kyç ose kuti, ose në një qese të veçantë të kyçur që mund të zhbllokohet vetëm nga një sistem elektronik – në portat e shkollës ndërsa ata largohen në shtëpi.

Telefonat celularë janë të ndaluara në shkollat ​​fillore.