Me një foto të Kel Marubit, ministrja e Kulturës, Margariti, ka vijuar përcjelljen e trashëgimisë në “Muajin e Fotografisë”. Është një foto e vitit 1926, me diçiturën “Godija e” Urës së Matit, foto e cila na kthen pas në kohë, kur Ura e Matit ishte vetëm një kantier. Kel Marubi, emrin e vërtetë e kishte Mikel Kodheli. Që fëmijë punoi si ndihmës në studion e Pietro Marubit bashkë me vëllanë e madh Matinë. Të dy u dërguan në 1885 për rreth dy vjet të mësonin mbi fotografinë e proçeset e saj në Trieste tek studioja e Guglielmo Sebastianutti-t. Mbas vdekjes së mjeshtrit (1903), Mikel Kodheli trashëgoi studion dhe mjeshtërinë e fotografisë, e për nder të mjeshtrit mbajti edhe mbiemrin e tij dhe u njoh ngado si Kel Marubi. Më 1905 bleu një pronë, shtëpi dhe studio pranë bashkisë në qendrën e qytetit. Që në rini, ai u përfshi në lëvizjet për pavarësinë e vendit, gjë që shkaktoi burgosjen e tij disa herë nga autoritetet turke për propagandë patriotike. Më 1908 në shtëpinë e tij u themelua klubi i parë patriotik “Gjuha Shqipe”. Më 1913, flamuri që lajmëroi pavarësinë në Bashkinë e qytetit, qe qëndisur nga vajza e tij Bernardina. Studioja e Kel Marubit shërbeu dhe si një vendtakim i figurave të njohura të politikës. Më 1926 u emërua fotograf zyrtar i mbretit Zog I.
Fotoja e Kel Marubit, kur Ura e Matit ishte vetëm kantier
RELATED ARTICLES