Në Britaninë e Madhe ka ardhur në jetë foshnja e parë (një djalë), që lind nga një mitër e transplantuar nga një donatore e ndjerë, duke shënuar një moment historik në mjekësinë britanike, sipas BBC.
Grace Bell, rreth të 30-ave, ka lindur pa mitër funksionale për shkak të sindromës MRKH – – një gjendje e rrallë – që prek rreth një në 5 000 gra në Britani të Madhe.
Ajo ka vezore normale, por nuk ka pasur kurrë cikël menstrual dhe që në moshën 16-vjeçare ishte informuar se trupi i saj nuk mund të kryente vetë një shtatzëni.
Transplanti i mitrës u krye në qershor 2024 në spitalin “The Churchill Hospital” në Oksford dhe zgjati rreth 10 orë.
Disa muaj më vonë, çifti iu nënshtrua fertilizimit in vitro (IVF) dhe transferimit të embrionit në Londër.
Djali i tyre, Hugo, lindi para Krishtlindjeve 2025 në spitalin “Queen Charlotte’s and Chelsea Hospital” në Londrën perëndimore, me një peshë afro 3,2 kilogramë. Sot ai është 10 javësh.
Grace e përshkroi lindjen si “një mrekulli”, duke thënë se ndjesia kur pa për herë të parë fytyrën e të birit ishte një ëndërr.
Ajo dhe partneri i saj, Steve Powell, falënderuan familjen e donatores për “dhuratën e jashtëzakonshme”. Foshnja nuk ka asnjë lidhje gjenetike me donatoren.
Ky është një nga 10 transplantet e mitrës që po kryhen në kuadër të një studimi klinik në Britaninë e Madhe – dhe rasti i parë që ka rezultuar në lindje nga një donatore e ndjerë.
Deri më tani, mbi 100 transplante të tilla janë realizuar në botë, me më shumë se 70 foshnja të lindura si rezultat i kësaj procedure





