Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, organizuan forumin me temë “30 Vite Ekonomi e Lirë – Sektori Bankar”. Pjesëmarrës në këtë forum ishin përfaqësues të institucioneve financiare, akademikë dhe studiues të fushës ekonomike si dhe studentë të Fakultetit të Ekonomisë. Gjatë punimeve të pranishmit diskutuan mbi kontributin e qenësishëm që jep sektori bankar në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, rëndësinë e financave të qëndrueshme si dhe sfidat më të cilat po përballet sistemi bankar në vazhdën e zhvillimeve të reja teknologjike. Në këtë forum Banka e Shqipërisë u përfaqësua nga zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi. Në fjalën e mbajtur, Minxhozi u ndal fillimisht rolin e rëndësishëm që sektori bankar luan në ekonominë e vendit. Ky sistem siguron mjetet e pagesës në ekonomi, por gjithashtu shërben si një motor rritjeje për të nëpërmjet huadhënies ndaj sektorit privat dhe individëve. Ajo theksoi se sektori bankar në Shqipëri mund të konsiderohet si një forcë e domosdoshme që ndikon në rritjen e ekonomisë dhe shoqërisë. Në vijim, Minxhozi u ndal në procesin e digjitalizimit dhe sfidat me të cilat përballet sistemi bankar si rrjedhojë e zhvillimeve të shumta në fushën e teknologjisë. Në këtë kuadër ajo evidentoi punën e kryer nga Banka e Shqipërisë në drejtim të zhvillimit të infrastrukturës së sistemit të pagesave ku një rol të veçantë ka luajtur dhe miratimi i ligjit “Për shërbimet e pagesave”, i cili tashmë është finalizuar si nga pikëpamja infrastrukturore, ashtu edhe rregullative, dhe është funksional dhe i disponueshëm për aktorët e tregut. Krahas këtyre zhvillimeve ligjore e rregullative, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë edhe një sërë masash të tjera, si krijimi dhe operimi i sistemit AIPS-EURO për pagesat ndërbankare në Euro brenda vendit. Në kuadër të digjitalizimit të sistemit bankar, Banka e Shqipërisë synon gjithashtu që në një periudhë afatshkurtër të finalizojë projektin Instant Payment. Më tej gjatë fjalës së saj Minxhozi u ndal dhe në përfshirjen e bankave qendrore në financat e gjelbra dhe rolin e rëndësishëm që ato kanë në përballimin e sfidave me të cilat përballet ekonomia si pasojë e ndryshimeve klimatike. Në këtë kuadër që prej vitit 2017 Bankat Qendrore kanë krijuar Network for Green Financial System që synon nxitjen e përdorimit të internet banking, mobile ose electronic banking si dhe sistemin e pagesave automatike. Pas anëtarësimit në Network for Green Financial System, Banka e Shqipërisë po punon për integrimin e problematikave të ndryshimeve klimatike brenda mandatit të saj. atsh
Forumi “30 Vite Ekonomi e Lirë-Sektori Bankar”
RELATED ARTICLES