Sunday, November 24, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTUREFortifikimi i Gajtanit me sinjalistikë orientuese në dy gjuhë

Fortifikimi i Gajtanit me sinjalistikë orientuese në dy gjuhë

Në vijim të përmirësimit të infrastrukturës në të gjithë pasuritë kulturore, falë bashkëpunimit të DRTK Shkodër me organizatën “Wellpoint”, siti i njohur si “Fortifikimi i Gajtanit” është pajisur me sinjalistikën orientuese të shtigjeve dhe informacionin e nevojshëm orientues në dy gjuhë. “Qyteza”, siç e quajnë vendasit këtë vendbanim të lashtë, pozicionohet në shpatet e dy kodrave të larta. Në shek. VII para Krishtit, periudhë e lulëzimit të këtij vendbanimi, u rrethua me mure të gjera, të cilat edhe sot janë të ruajtura mirë, dhe arrijnë një trashësi deri 3,5 m, të ndërtuar me gurë të mëdhenj me punim të paktë që duken si shkëmbinj të mëdhenj, të vendosur një mbi një pa ndonjë lidhje llaçi. Është ruajtur edhe një portë e “qytezës”, e zbuluar nga gërmimet e kryera aty në vitet 60′ . Fortifikimi i Gajtanit është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së I-rë në vitin 1971. Vendbanimi i fortifikuar ilir i epokës së hekurit gjendet mbi një kodër të veçuar në verilindje të fshatit Gajtan, 5 km në lindje të Shkodrës. Shtresa më e hershme kulturore i takon bronzit të vonë e fillimit të epokës së hekurit. Kjo ndiqet nga shtresa kulturore e periudhës së hekurit të zhvilluar, gjatë së cilës vendbanimi ka pasur jetë intensive. Kësaj kohe i takojnë disa furra dhe shumë ene me trajta tipike të qeramikës ilire. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments