Në tregun e këmbimit valutor vendas, të hënën dollari amerikan forcoi pozitat në raport me lekun, krahasuar me fundjavën, ndërsa euroja humbi terren. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha e gjelbër amerikane u forcua me 0.39 lekë dhe këmbehet me 100.28 lekë, ndërsa euroja zbriti me 0.13 lekë dhe këmbehet me 108.29 lekë. Paundi britanik, krahasuar me një ditë më parë, u nënçmua me 0.07 lekë, duke u zbritur në kuotën 126.61 lekë. Ndërkohë, franga zvicerane këmbehet me 113.40 lekë, ose 0.16 lekë më shumë se ditën e premte. Banka e Shqipërisë vlerëson se kursi i këmbimit valutor paraqitet i qëndrueshëm dhe reflekton kërkesë ofertën e tregut, ndikuar nga faktorët sezonal, që aktualisht shoqërojnë sezonin veror me prurje më të lartë të valutës në vendin tonë.