Nga 1 janari 2025 do të hyjnë në fuqi rregullat e reja që forcojnë kriteret për ngritjen e stabilimenteve të prodhimit të filizave që përdoren për mbjellje nga fermerët. Në udhëzimin e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të botuar në Fletoren Zyrtare përcaktohet se për operatorët e biznesit ushqimor rritës të filizave në stabilimente, dhënia e lejes për ngritjen e tyre do të kërkojë përmbushje të plotësimit të disa kushteve të reja. Rregullat e reja përfshijnë që nga shtrirja dhe planimetria e stabilimenteve që duhet të lejojë kushte të larta higjienike, deri te dezinfektimi i ambienteve të rritjes së filizave. Sipas udhëzimit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do t’i miratojë këto stabilimente vetëm kur ato të jenë në përputhje me kërkesat e përcaktuara “Për kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të higjienës për stabilimentet e ushqimit dhe operatorët e biznesit ushqimor”.
Rregullat e reja përcaktojnë se planimetria dhe shtrirja e stabilimenteve duhet të lejojë praktika të mira të higjienës së ushqimit, duke përfshirë mbrojtjen kundër kontaminimit ndërmjet dhe gjatë operacioneve. Duhet të sigurohen ambiente të përshtatshme për pastrimin, dezinfektimin dhe ruajtjen e enëve dhe pajisjeve të punës. Këto objekte duhet të jenë të lehta për t’u pastruar dhe të kenë furnizim të mjaftueshëm me ujë të ngrohtë dhe të ftohtë. Gjithashtu kur është e nevojshme, duhet të sigurohen masa të përshtatshme për larjen e ushqimit. Çdo lavaman ose objekt tjetër i parashikuar për larjen e ushqimit duhet të ketë furnizim të mjaftueshëm me ujë të pijshëm dhe të mbahet i pastër dhe kur është e nevojshme i dezinfektuar.
Të gjitha pajisjet me të cilat farat dhe filizat bien në kontakt duhet të jenë të ndërtuara nga materiale të përshtatshme, të mbahen në kushte të mira pune dhe mirëmbajtjeje, të mundësojnë mbajtjen pastër dhe kur është e nevojshme të dezinfektohen në mënyrë që të minimizohet çdo rrezik ndotjeje.