Banka e Shqipërisë bëri të ditur se, gjendja e provigjioneve në fund të tremujorit të tretë të vitit 2025 ishte 30 miliardë lekë, në rënie me 3,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Shpenzimet e provigjioneve janë të lidhura direkt me cilësinë e portofolit të aseteve të sektorit bankar.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme ka qenë në stanjacion gjatë vitit 2025. Në fund të nëntorit kredia me probleme zbriti në 4,19%, nga 4,48% që kishte qenë në nëntor të vitit 2024.

Për kreditë standarde bankat duhet të llogarisin provigjione në masën 1%, ndërsa për ato në vonesë nga 30 deri në 60 ditë, provigjionimi kërkohet në masën 5%.

Shkalla e provigjionimit rritet kur fillon klasifikimi si kredi me probleme (me vonesë në shlyerje prej më shumë se 60 ditë). Për këtë kategori (nën standarde) kërkohet provigjionim jo më pak se 20%, për kategorinë “e dyshimtë” (me vonesë më shumë se 90 ditë) jo më pak se 50% dhe për kategorinë “e humbur” (me vonesë mbi 180 ditë) kërkohet provigjionim i plotë, në masën 100%.