Banka e Shqipërisë dhe Fondi për Rritjen e Gjelbër, do të thellojnë bashkëpunimin për t’u përballur me sfidat globale të klimës dhe për të siguruar që Shqipëria të ketë një sistem financiar që jo vetëm përballon vështirësitë, por edhe krijon mundësi të reja për zhvillim të qëndrueshëm.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko priti në një takim zyrtar ekipin e Green for Growth Fund dhe anëtarët e Komitetit Investues të këtij fondi, në kuadër të projekteve lidhur me energjinë e gjelbër dhe mundësitë e bashkëpunimit.
Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare po zhvillohet mirë dhe korniza makroekonomike është e qëndrueshme; janë realizuar shumë reforma ekonomike dhe Shqipëria është në rrugën e duhur drejt plotësimit të aspiratës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Diskutimet u fokusuan më së shumti në politikat dhe projektet e BSH-së sa i përket financave të gjelbra. Në vitin 2023, Banka e Shqipërisë miratoi Strategjinë e saj të Gjelbër të hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore. Kjo iniciativë shërben si një hartë udhëzuese për identifikimin, monitorimin dhe menaxhimin e rreziqeve klimatike, ndërkohë që përgatit vendin për rritje të qëndrueshme.
Guvernatori theksoi se Shqipëria dhe Banka e Shqipërisë po shënojnë përparime të ndjeshme në fushën e financave të gjelbra. Tashmë, në vend është hartuar një strategji e fokusuar në sektorin bankar, e cila synon vlerësimin e ekspozimeve të tij ndaj ndikimeve klimatike dhe mënyrave të trajtimit të tyre. Gjithashtu, banka qendrore ka shtuar vëmendjen ndaj menaxhimit të rreziqeve klimatike, ndërgjegjësimit publik dhe klasifikimit të financave të gjelbra, duke theksuar angazhimin e saj për një të ardhme financiare të sigurt dhe afatgjatë.
Palët diskutuan lidhur me bashkëpunimin e mundshëm në fusha të ndryshme, si ajo e energjisë së rinovueshme. Përfaqësuesit e Fondit për Rritjen e Gjelbër u shprehën të gatshëm të ofrojnë asistencë teknike për të mbështetur bankat në menaxhimin e projekteve të gjelbra. Sa i përket ndikimit të ndryshimeve klimatike, Fondi ka ekspertizë të mirë në sheshimin e hendekut midis kërkesave rregullatore dhe aspekteve praktike të zbatimit të tyre.