Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit shpalli thirrjen e hapur për “Fondin e Teatrit për të Rinj”, Edicioni III. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në bashkëpunim me MEKI, organizon edicionin e tretë të këtij fondi, përmes të cilit kanë ardhur një numër i madh shfaqjesh e që është finalizuar me festivalin teatror “Hapat”. “Fondi i Teatrit për të Rinj” kërkon të sjellë në vëmendje dramaturgjinë bashkëkohore shqiptare dhe të huaj, gjithëpërfshirjen e artistëve të rinj, pasurimin e jetës teatrore shqiptare nëpërmjet kontributit dhe vizionit të të rinjve të fushës. Projektet teatrore përfituese nga ky fond realizohen nën kujdesin e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në bashkëpunim me teatrot e rretheve dhe Universitetin e Arteve. Sipas njoftimit të MEKI-t, afati i dorëzimit të aplikimeve është data 20 maj 2024.