Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikoi sot që rritja ekonomike globale të arrijë në 3,0% këtë vit, e njëjtë me parashikimin e tij të fundit në korrik. Për vitin e ardhshëm, huadhënësi me bazë në Uashington e rishikoi vlerësimin e tij paksa më poshtë, nga 3,0% në 2,9%. FMN e përshkroi ekonominë globale si “ende duke çaluar”, pavarësisht sfidave që variojnë nga inflacioni i lartë dhe politika e shtrënguar monetare, deri te lufta e Rusisë kundër Ukrainës dhe ngjarjet ekstreme të motit. ”Ngadalësimi është më i theksuar në botën e industrializuar sesa në vendet në zhvillim”, tha FMN teksa publikoi perspektivën e saj të fundit për ekonominë botërore. Në vitin 2022, ndërsa pasojat shëndetësore dhe ekonomike të Covid-19 filluan të zbeheshin, ekonomia globale u rrit me 3,5%.