Këshilli Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi rishikimin e katërt dhe të fundit të Marrëveshjeve të Stand-By dhe të Shpërblimit të Qëndrueshmërisë për Kosovën, njofton FMN.

Sipas FMN-së, pavarësisht pasigurisë nga tensionet tregtare, rritja ekonomike në Kosovë pritet të mbetet në 4 për qind në vitin 2025.

Po ashtu FMN njofton se gjatë vitit 2025, inflacioni do të jetë 2,25 për qind.

“Kosova ka shënuar një performancë të fortë ekonomike, me rritje prej katër pikë katër për qind në vitin 2024, kryesisht për shkak të konsumit të familjeve dhe kredive private. Inflacioni ka rënë në 1,6 për qind nga 4,9 për qind në vitin 2022. Deficiti i llogarisë së jashtme është zgjeruar në 9 për qind të PBB-së, pasi rritja e konsumit dhe investimeve çoi në rritjen e importeve. Pavarësisht pasigurisë nga tensionet tregtare, rritja pritet të mbetet në 4 për qind në vitin 2025, me inflacionin që stabilizohet në 2,25 për qind”, thuhet në komunikatën e FMN-së.