Wednesday, October 23, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIFMN: Ekonomia shqiptare, një nga më të fortat e rajonit

FMN: Ekonomia shqiptare, një nga më të fortat e rajonit

Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi sot deklaratën përmbyllëse të misionit të tij në Shqipëri.

Në deklaratë thuhet se, “ekonomia shqiptare është shfaqur si një nga ekonomitë më të forta të rajonit”.

“Në sajë të rimëkëmbjes së fortë të turizmit, vitin që shkoi rritja ekonomike i kaloi pritshmëritë duke u rritur me rreth 5 për qind, ndërsa pozicioni i jashtëm pësoi një përmirësim të dukshëm. Marrë së bashku, konsolidimi fiskal, të ardhurat më të larta dhe vlerësimi i lekut bënë, që raporti i borxhit publik të kthehej në nivelet para pandemisë. Politika monetare është e fokusuar në mënyrë të drejtë në uljen e inflacionit, i cili ka rënë gradualisht pasi arriti pikën kulmore, edhe pse në nivel më të ulët krahasuar me vendet e rajonit”, thuhet në deklaratë.

Sipas FMN, “perspektiva ekonomike e Shqipërisë pritet të jetë e shëndoshë. PPB-ja reale parashikohet të zgjerohet me 3.6 për qind në 2023 dhe 3.3 për qind në 2024, kryesuar nga një konsum privat i qëndrueshëm, me forcimin e konsiderueshëm të turizmit dhe veprimtarisë së ndërtimit. Inflacioni qëndron rreth nivelit 4 për qind, në kushte të shtrënguara të tregut të punës, dhe pritet të kthehet vetëm gradualisht në objektivin e Bankës së Shqipërisë prej 3 për qind në fillim të vitit 2025”.

“Tensionet e rritura gjeopolitike përfaqësojnë një rrezik të madh të mundshëm, duke qenë se ekonomia vazhdon të jetë e pambrojtur ndaj rreziqeve të goditjeve në sektorin energjetik të lidhura me klimën, të ndryshimit të papritur të kahut të kursit të këmbimit dhe një inflacioni më të vazhdueshëm. Konjuktura aktuale e favorshme krijon mundësi për të shtyrë përpara një seri reformash, për të siguruar rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, thekson FMN.

“Një konsolidim ambicioz i bazuar në të ardhura do të krijonte hapësirë fiskale për një politikë kundërciklike në të ardhmen dhe do të mbështeste politikën monetare. Reformat në të ardhura gjithashtu nevojiten për të gjeneruar burime për zhvillimin e kapitalit njerëzor, infrastrukturës dhe për përshtatjen ndaj klimës”, shton FMN.

“Progresi i mëtejshëm për de-euroizimin është kritik për forcimin e efektivitetit të politikës monetare dhe për të ulur cenueshmërinë e sektorit financiar. Reformat strukturore në sektorët fiskale dhe financiarë, në mirëqeverisje, dhe në tregun e punës do të zgjerojnë përfitimet nga politikat prudenciale”, vijon FMN.

Sa i takon ruajtjes së qëndrueshmërisë fiskale, FMN thekson se, “autoritetet kanë ndërmarrë një konsolidim të konsiderueshëm fiskal në vitet pas pandemisë, me përmirësime të dukshme në mbledhjen e tatimit mbi vlerën e shtuar”.

“Me një nivel të pritshëm të balancës primare ndaj PPB-së në 0 në vitin 2023, rregulli fiskal, që kërkon një balancë primare jo negative pritet të përmbushet një vit përpara afatit. Në skenarin bazë, misioni parashikon në periudhën afatmesme një konsolidim të mëtejshëm fiskal të kufizuar, duke qënë se buxheti për vitin 2024 synon një suficit primar të ulët”, shton FMN.

Sipas FMN, “borxhi publik pritet të jetë rreth 60 për qind në fund të 2023 dhe parashikohet të jetë i qëndrueshëm në periudhën afatmesme”.

“Një përpjekje më e madhe fiskale se parashikimi aktual për 2024, mbetet kritike ndërkohë, që Shqipëria vijon të përballet me nevoja të larta për financim bruto. Masa fiskale neto shtesë, të sjella më afër në kohë, në rreth 1.5 për qind e PBB-së gjatë pesë viteve të ardhme, do të bënin që borxhi publik të ulej për të arritur synimin e rregullit fiskal prej 45 për qind, dhe do të pakësonin në mënyrë të rëndësishme nevojat për financim bruto”, thekson më tej FMN.

“Pjesa më e madhe e zhvillimeve duhet të vijnë përmes mobilizimit të të ardhurave dhe duhet të plotësohen me përfitime nga efikasiteti i shpenzimeve. Administrimi më i fortë i investimeve publike po ashtu do të mundësojë shpërndarjen e më shumë burimeve për investime produktive, duke përfshirë këtu investimet në arsim dhe përshtatjen ndaj klimës. Këto masa duhet të merren në paralel me zbatimin e strategjisë së menaxhimit të borxhit për të zgjatur maturitetin e borxhit dhe për të ulur borxhin me norma interesi të ndryshueshme”, shton FMN.

Gjithashtu, FMN vë në dukje se, “nevojitet një strategji të ardhurash afatmesme për një konsolidim të besueshëm fiskal. Autoritetet kanë miratuar ligje për disa nga reformat në politikat tatimore në përputhje me asistencën e mëparshme teknike të FMN-së. Miratimi në kohë i masave, që priten të ndërmerren është shumë i rëndësishëm, përfshirë reformat në taksën e pronës dhe të lojërave të fatit. Masa që sjellin më shumë të ardhura, të cilat janë lënë pë t’u kryer më vonë, të tilla si heqja e përjashtimeve të tjera të TVSH-së dhe heqja e shkallës tatimore zero për bizneset e vogla, mund të merren gjithashtu në konsideratë”.

“Duhet të përfundojë puna për plotësimin e parakushteve për kryerjen në kohë të reformave në taksën e pronës, duke përfshirë ngritjen e një kadastre fiskale të centralizuar dhe vendosjen në funksion të saj. Mbledhja e të ardhurave të mëtejshme do të varet nga forcimi i administrimit të të ardhurave, duke përfshirë rritjen e pajtueshmërisë tatimore të individëve të pasur dhe nga plani i veprimit për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Progresi në këto fusha do të mbështesë gjithashtu përpjekje më të mëdha për uljen e informalitetit dhe zgjerimin e bazës tatimore”, shton FMN.

FMN po ashtu thekson se, masat afatmesme dhe afatgjata kërkojnë përmirësime të efikasitetit.

“Rritjet e fundit të pagave në sektorin publik dhe indeksimi i inflacionit do të çojnë në rritjen e buxhetit të qeverisë për pagat. Në mungesë të reformave të mëtejshme, sistemi i pensioneve do të rëndojë edhe më shumë burimet publike. Pagat më të larta në sektorin publik duhet të shoqërohen me një rishikim më të gjerë të funksioneve në sektorin publik dhe rritjes së efikasitetit, duke përfshirë përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe trajnimin në punë. Rishikimi i ardhshëm i shpenzimeve publike është një mundësi për të nisur reforma, të cilat do të ulin presionet e shpenzimeve afatgjata, duke përfshirë edhe detyrimet e pensioneve”, shprehet FMN.

“Progresi i vazhduar në reformat fiskale strukturore do të ndihmojë në forcimin e menaxhimit të financave publike. Bërja funksionale (operacionalizimi) e udhëzimeve për menaxhimin e investimeve publike do të përmirësojë klasifikimin, menaxhimin dhe monitorimin e projekteve. Përfshirja e partneriteteve publike-private (PPP) në kuadrin e zakonshëm të investimeve publike dhe në proceset buxhetore është nevojë urgjente dhe për këtë duhen ndryshime ligjore”, shton FMN.

Sipas FMN, “publikimi i planifikuar i një pasqyre të veçantë të rreziqeve fiskale në vitin 2024 është një hap i rëndësishëm drejt monitorimit të ardhshëm të rreziqeve fiskale, duke përfshirë rreziqet, që rrjedhin nga PPP-të, detyrimet kontigjente të nënkuptuara dhe ato ligjore, dhe ndërmarrjet me pronësi shtetërore. Pasqyra e rreziqeve fiskale duhet gjithashtu të identifikojë qartë masat për uljen e rreziqeve, duke përfshirë shtimin e mbikëqyrjes dhe mirëqeverisjen e ndërmarrjeve shtetërore”.

FMN vë në dukje se, “ekspozimi i Shqipërisë ndaj klimës kërkon ndërmarrjen e veprimeve në kohën e duhur. Duke marrë parasysh rolin tejet të madh të energjisë nga burimet ujore dhe varësinë e ndërmarrjeve shtetërore të energjisë nga mbështetja publike, rregullimet graduale të tarifave në nivelet e reflektimit të kostos janë të nevojshme, së bashku me masa plotësuese për të mbështetur grupet në nevojë”.

Gjithashtu, shton FMN, “është me rëndësi të madhe të rritet transparenca e sektorit energjetik dhe mirëqeverisja e ndërmarrjeve me pronësi shtetërore. Në këtë kuadër, përpjekjet për të zhvilluar burime të rinovueshme energjie janë një hap në drejtimin e duhur. Zbatimi dhe integrimi i Strategjisë Kombëtare për Ndryshimet Klimatike 2030 në procesin buxhetor dhe planifikimin afatmesëm do të ndihmojnë për të drejtuar burimet drejt prioriteteve të gjelbra”.

“Ulja e inflacionit duke përfituar nga përfitimet e regjimit të kursit të lirë të këmbimit Kthimi i inflacionit në objektivin e synuar me gjasa do të kërkojë disa rritje të mëtejshme të normës bazë. Pas një rritjeje prej 250 pikë bazë në 3 për qind, Banka e Shqipërisë në mënyrë të drejtë ndaloi rritjen e normës bazë në mars, në kontekstin e inflacionit në rënie dhe të vlerësimit të fortë të lekut. Me rritjen e presioneve të brendshme inflacioniste, në kushtet e shtrëngimit të tregut të punës dhe me normat reale të interesit ende negative, ka hapësira për rritje të mëtejshme të normës bazë. Një rritje graduale e normës bazë drejt një pozicioni neutral – vlerësuar në rreth 4.5 për qind – do të ndihmonte kthimin e inflacionit në objektivin e synuar në fillim të 2025”, thekson më tej FMN.

Megjithatë, shprehet FMN në deklaratë, “ka pasiguri në lidhje me ecurinë e inflacionit dhe një qasje elastike që lejon vendimmarrje mbi normën bazë takim pas takimi, do të ishte e përshtatshme. Banka e Shqipërisë ka një pozicion të fortë të kapitalit dhe rezervës ligjore, dhe njohja e humbjeve të parealizuara si pasojë e rivlerësimit në kohët e fundit nuk duhet ta shkëpusë atë nga fokusi për të arritur objektivin e inflacionit”.

“Kursi i lirë i këmbimit duhet të mbetet amortizatori kryesor i goditjeve, me ndërhyrje në tregjet e këmbimit valutor të kufizuara për t’iu përgjigjur kushteve të çrregullta të tregut. Ndonëse leku ka pasur një prirje graduale mbiçmuese që nga 2015, në përputhje me përmirësimin e fondamenteve të ekonomisë, mbiçmimi i theksuar nga 2022 kërkon vigjilencë, duke pasur parasysh rrezikun e një përmbysjeje të papritur të situatës. De-euronizimi i mëtejshëm i ekonomisë do të maksimizonte përfitimet nga kursi i lirë i këmbimit dhe regjimi i shenjëstrimit të inflacionit”, shton FMN.

“Përveç masave të marra nga BSH-ja, një de-euroizim efektiv duhet të mbështetet nga veprime të qeverisë për të nxitur përdorimin e monedhës vendase në vendosjen e çmimeve dhe pagesat e mallrave të patregueshme”, bën të ditur FMN.

Sa i përket ruajtjes së stabilitetit financiar, FMN thekson se, “sektori financiar mbetet kryesisht i qendrueshëm, por vijon të ketë hapësira cenueshmërie. Mjaftushmëria e kapitalit të sistemit bankar në tërësi është mbi nivelet e kërkuara dhe rentabiliteti e cilësia e aktiveve janë përmirësuar. Megjithatë, ka hapësirë për forcim të mëtejshëm të pozicionit të kapitalit të disa bankave, dhe sektori vazhdon të përballet me rreziqe të mbetura nga roli tejet i madh i letrave me vlerë të qeverisë në portofolet e bankave dhe ekspozimi ndaj sektorit të pasurive të paluajtshme, duke konsideruar ende në nivele të larta kredinë e pambrojtur ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit. Edhe pse ka pasur luhatje në 2022 në disa institucione financiare jo banka, sektori nuk ka gjasa të paraqesë rreziqe sistemike, duke marrë parasysh përmasat e tij të vogla”.

“Vijimi i një mbikëqyrjeje fleksibël dhe shtimi i instrumenteve prudenciale do të ndihmojë në kapërcimin e pasigurive aktuale financiare dhe ekonomike. Heterogjeniteti i bankave kërkon provigjione të vazhdueshme prudenciale rast pas rasti si edhe rishikime të fokusuara të cilësisë së aktiveve, të kryera në kohën e duhur. BSH duhet të vazhdojë përpjekjet për përforcimin e shtesave të kapitalit bankar, duke përfshirë pezullimin e përkohshëm të dividentëve për bankat që nuk plotësojnë detyrimet. Kuadri rregullator, i miratuar së fundmi, i cili mbledh të dhëna për raportet e huasë ndaj vlerës së pronës dhe të borxhit ndaj të ardhurave është kyç për njohjen e instrumenteve të mbështetur tek huadhënësi. Kërkesa të diferencuara për instrumente të tilla sipas monedhave të huaja dhe vendase, do të ndihmonin zbutjen e rreziqeve nga huadhënia në monedhë të huaj”, thekson FMN.

“Gjatë periudhës afatmesme, mund të merret në konsideratë një shtesë pozitive kundërciklike e kapitalit për mbështetjen e mëtejshme të stabilitetit financiar. Progresi i qëndrueshëm i reformave financiare strukturore do të ndihmonte në forcimin e arritjeve të mëparshme”, thekson FMN, teksa shton se, “fushat kyçe përfshijnë: (i) harmonizimin e kornizave mbikëqyrëse dhe rregullatore me standardet e BE-së, duke përfshirë ato të lidhura me rreziqet kibernetike dhe klimatike, (ii) vazhdimin e forcimit të regjimit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, duke përfshirë ristrukturimin e kredive jashtë gjykatës, (iii) vazhdimin e promovimit të mirëqeverisjes së korportave në sektorin financiar, dhe (iv) thellimin gradual të tregjeve të kapitalit, duke përfshirë rritjen e likuiditetit në tregjet dytësore të letrave me vlerë të qeverisë”.

Sa i përket nxitjes së rritjes gjithëpërfshirëse, FMN shprehet se, “Shqipëria ka hasur vështirësi në mbylljen e hendekut të të ardhurave me vendet e BE- së. Informaliteti, mangësitë në mirëqeverisje dhe në shtetin e së drejtës, dobësitë në tregun e punës, hendeqet në infrastrukturë dhe presionet demografike kanë penguar shpërndarjen efikase të burimeve dhe kanë frenuar produktivitetin”.

“Duke i ditur këto probleme, autoritetet kanë bërë hapa të rëndësishëm përpara në disa fusha kyçe. Falë progresit të konsiderueshëm në adresimin e mangësive për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, Taskforca e Veprimit Financiar (FATF) ka njoftuar së fundi se Shqipëria do të dalë nga lista e juridiksioneve nën monitorim të shtuar”, bën të ditur FMN.

“Programi gjithëpërfshirës i reformës gjyqësore ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme. Strategjia Kombëtare e Punësimit dhe e Aftësimit po ashtu me të drejtë kërkon të forcojë trajnimin profesional, rritjen e aftësimit dhe gjithëpërfshirjen. Përmirësimet e mëtejshme në mirëqeverisje dhe shtetin e së drejtës do ta përmirësojnë mjedisin e biznesit. Reforma e gjyqësorit duhet të përfundojë brenda afatit kushtetues, dhjetor 2024, dhe të mbështetet me masa për përmirësimin e efikasitetit të gjykatave dhe adresimin e çështjeve të prapambetura gjyqësore”, shton FMN.

“Struktura kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) duhet të ketë burime të mjaftueshme për të përmbushur mandatin e vet. Puna duhet të rifillojë për hartimin e Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit 2023‒30 dhe zbatimin e rekomandimeve të Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit në Këshillin e Evropës (GRECO), duke përfshirë ato që lidhen me reformat e policisë dhe kufizimet e punësimit pas mbajtjes së detyrës për anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe këshilltarët politikë”, shprehet FMN.

Gjithashtu, FMN shton se, “zbatimi i vendosur i politikave për zhvillimin dhe mbajtjen e kapitalit njerëzor duhet të nxisë rritjen potenciale dhe të përmirësojë standardet e jetesës. Fushat kyçe përfshijnë (i) modernizimin e kurrikulës arsimore, (ii) përmirësimin e përshtatshmërisë së tregut të punës dhe cilësisë së arsimit dhe trajnimit profesional, (iii) investimin në aftësitë digjitale dhe (iv) nxitjen e mjedisit kërkimor dhe zhvillimor (R&D), duke ushqyer novacionet”.

“Masat për nxitjen e pjesëmarrjes në forcat e punës së grave, përfshirë rritjen e qasjes në kujdesin për fëmijët, do të ndihmojë në ngushtimin e hendekut gjinor, që mbizotëron për gratë pa arsim universitar. Duhet të ketë burime të mjaftueshme buxhetore dhe mekanizma monitorues për të siguruar, që përpjekjet e autoriteteve në këto fusha të përkthehen në rezultate më të mira”, përfundon deklarata e FMN.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments