Flija e Kukësit është një tjetër produkt autokton shqiptar, që po shkon drejt procesit të regjistrimit si markë e mbrojtur pasi ka kaluar testet e verifikimit të përputhshmërisë për treguesit gjeografikë, emërtimin e origjinës dhe traditës, për të marrë kështu logon kombëtare dhe prezantimin e tij në treg si “Specialitet Tradicional i Garantuar”.

Ekspertë të bujqësisë dhe donatorë të fushës, organizuan një aktivitet të veçantë mbi fli-në, tek një bujtinë në Kukës, për të promovuar turizmin rural dhe trashëgiminë lokale.

Pesë gra vendase gatuan FLI-në tradicionale, e cila u shijua në një degustim si hap i parë drejt regjistrimit të saj si Specialitet Tradicional i Garantuar (TSG).

Në aktivitet ishin të pranishëm edhe anëtarë të Komisionit të Skemave të Cilësisë, për të përzgjedhur versionin më autentik.

Promovimi dhe certifikimi i produkteve autentike shqiptare është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të turizmit rural në Shqipëri.

Aktualisht Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka certifikuar deri tani me emërtim “Specialitet Tradicional i Garantuar” 4 produkte tipike: Djathi i Ziem, Veleçik, Shkodër; Mjalti i Bedunicës, Përmet; Djathi i Dhisë, Bjeshkët e Runjës, si dhe djathin e Mishavinës të Kelmendit, që i japin vlerë të shtuar traditës së trojeve tona nga veriu në jug të Shqipërisë.