Botimi “The Complete Notebooks” sjell për herë të parë të mbledhura në një vëllim të vetëm të gjitha shënimet e Albert Camus, nga viti 1935 deri më 1959, duke ofruar një pasqyrë të rrallë mbi mendimin e brendshëm të shkrimtarit dhe filozofit francez, sipas “New York Times”.
Në artikull kritiku Dwight Gamer e përshkruan librin si një dokument thelbësor për të kuptuar jo jetën private të Camus, por procesin e tij intelektual dhe krijues.
Ndryshe nga ditarët klasikë, fletoret e Camus përmbajnë shumë pak elemente autobiografike.
Ato shmangin rrëfimin personal dhe fokusohen kryesisht në ide filozofike, shënime letrare dhe reflektime morale. Camus shfaqet si një njeri thellësisht privat, që e konsideronte rrëfimin intim dhe thashethemin si diçka të neveritshme.
Në këto shënime gjenden embrionet e veprave të tij më të njohura, si “I huaji”, “Mortaja” dhe “Rënia”.
Ato dëshmojnë për përpjekjen e vazhdueshme të Camus për të kuptuar absurditetin e ekzistencës, izolimin njerëzor, fajin dhe përgjegjësinë morale.
Sipas artikullit, romane të tilla mbeten forma më e plotë dhe më e qartë e mendimit të tij, krahasuar me fragmentet shpesh të thata të fletoreve.
Artikulli kujton edhe debatet e hershme kritike rreth këtyre shënimeve, nga vlerësimi entuziast i A.J. Liebling deri te kritika e ashpër e Susan Sontag, e cila vinte në dyshim peshën filozofike të Camus.
Vetë Garner pranon se, pas leximit të plotë, anon më shumë nga qëndrimi skeptik i Sontag-ut, duke i konsideruar fletoret interesante, por jo gjithmonë madhore.
Fletoret përfshijnë gjithashtu reflektime mbi politikën, kritikët letrarë dhe shoqërinë franceze, shpesh me ironi dhe sarkazëm. Krahas tyre, shfaqet edhe ana sensuale e Camus: dashuria për diellin mesdhetar, notin, udhëtimet e thjeshta dhe kafenetë modeste, larg luksit dhe pompozitetit.
Në përfundim, “The Complete Notebooks” paraqitet si një vepër që kërkon durim dhe vëmendje nga lexuesi.
E si sot më 1960 filozofi i shquar francez humbi jetën në moshën 46-vjeçare në një aksident automobilistik pranë Villeblevin, në Francë.





