Fitimi i sektorit bankar po rritet edhe në muajt e parë të vitit 2023. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për periudhën janar-shkurt fitimi neto i sistemit bankar arriti në 5.3 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, ky tregues u rrit me 128 %. Rritja e fitimit ka sjellë përmirësim të dukshëm edhe në treguesit e tjerë. Kështu kthimi nga kapitali i sektorit, i mesatarizuar me bazë vjetore, u rrit në 17.01 %, nga 7.86 % që kishte për janarin e vitit të kaluar. Ndërkohë, kthimi nga aktivet u rrit në 2.01 %, nga 0.9 % që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit 2022. Këto të dhëna bazohen në standardet e raportimit sipas kërkesave të Bankës së Shqipërisë dhe kanë kryesisht një vlerë orientuese për tendencën e performancës së sistemit. Standarde ligjore të raportimit për bankat janë Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), por ato janë të disponueshme vetëm me bazë tremujore. atsh