Investimet në infrastrukturë në kuadër të programit të mbështetur nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe BE synojnë të përmirësojnë ndërlidhjen me zonat turistike në vend dhe cilësinë e ofertës së turizmit, një nga sektorët kyç të ekonomisë shqiptare. Rritja e numrit të turistëve vendas dhe të huaj të interesuar për turizmin natyror dhe të aventurës ka futur në hartën e investimeve të programit të BERZH dhe BE-së, edhe rrugën Arras – Fushë-Lurë në bashkinë e Dibrës. Rrugës Sine (Arras) – Fushë-Lurë është pjesë e rrugës Peshkopi – Fushë-Lurë. Kjo rrugë është aksi kryesor që lidh qytetin e Peshkopisë me Fushë-Lurën dhe zona të tjera pranë këtij fshati.
Kohët e fundit kjo rrugë përdoret gjithnjë e më shumë nga turistët vendas dhe të huaj, sidomos gjatë verës, për të shijuar turizmin malor dhe atraksionet e ndryshme të zonës. Ndaj, rehabilitimi i këtij aksi është bërë shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për tërheqjen e më shumë turistëve dhe lehtësimin e tregtisë dhe komunikimit mes banorëve të Peshkopisë dhe atyre të të gjithë fshatrave të shpërndarë në zonën e Fushë-Lurës. Projekti investimit që do të zbatohet nga FSHZH parashikon rehabilitimin plotësisht të aksit rrugor në një gjatësi totale prej 2144 metra.
Ky seksion rrugor ka nevojë për ndërhyrje serioze për forcimin e kapacitetit të ngarkesës së rrugës, ndërtimin e mureve të rinj mbajtës, pak kanale dhe punime riparimi në tobinot ekzistuese dhe një urë, si dhe punime të tjera për rritjen e nivelit të sigurisë për përdoruesit e rrugës. Midis Arrasit dhe Fushë- Lurës do të kryhen punimet e asfaltit, karrexhata rrugore ekzistuese e rehabilituar do të jetë 6 m e gjerë, e përbërë nga dy korsi të asfaltuara, 2.5 m e gjerë në çdo drejtim, plus 0.5 m e gjerë shpatulla në çdo drejtim.