Ministria e Financave dhe Ekonomisë planifikon emetimin e një obligacioni 20-vjeçar në muajin janar.
Emetimi për herë të parë i këtij obligacioni do të shërbejë si test për tregun shqiptar dhe synohet sigurimi i një vlere prej 1.5 miliard lekësh.
Financat po ashtu kanë planifikuar emetimin e një tjetër obligacioni 20-vjeçar në muajin mars me një vlerë prej 1 miliard lekësh.
Afati më i gjatë i maturimit i aplikuar deri sot është obligacioni 15-vjeçar.
Ky instrument para se gjithash u dedikohet individëve dhe subjekteve që kanë plane për kursime më afatgjata dhe jo vetëm, dhe ka efekte pozitive të shumanshme ekonomike dhe financiare.
Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2024, Ministria e Financave ka emetuar në tregun e brendshëm tituj shtetërorë në vlerën 239.6 miliardë lekë, nga të cilat 136.5 miliardë lekë i përkasin titujve afatshkurtër dhe 103.1 miliardë lekë titujve afatgjatë.
Sipas Ministrisë së Financave, në përputhje me Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2024 është rritur frekuenca dhe vlera e emetimeve të instrumenteve afatgjata.
Të dhënat e MF-së tregojnë se kërkesa për tituj shtetërorë ka qenë më e lartë se oferta e qeverisë pothuajse në të gjitha ankandet e realizuara gjatë fillimit të vitit.
Huamarrja neto në tregun e brendshëm në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2024 rezultoi në nivel prej 23.9 miliardë lekë, dhe u arrit kryesisht (89.7%) nëpërmjet instrumenteve afatgjata.
Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit u maturuan dy linja obligacionesh në vlera të mëdha, përkatësisht obligacioni 3-vjeçar në vlerën 20.8 miliardë lekë dhe obligacioni 5-vjeçar në vlerën 18.7 miliardë lekë.
Edhe gjatë vitit 2025, sipas Ministrisë së Financave, menaxhimi i borxhit do të synojë plotësimin e nevojave të qeverisë për financim në kohë si dhe nevojave për të shërbyer borxhin aktual me kosto sa më të ulët duke mundësuar njëkohësisht ulje të ekspozimit ndaj risqeve.
Në tregun e brendshëm do të synohet sigurimi i huamarrjes nëpërmjet gjithë gamës së instrumenteve duke u orientuar drejt rritjes së peshës së instrumenteve afatgjata dhe afatmesme, dhe uljes së atyre afatshkurtra.
Financimi i huaj do të shërbejë si plotësues i burimeve të brendshme dhe përveç të tjerash edhe si optimizues i kostove të borxhit