Në kuadër të përgatitjeve, është ngritur edhe një grup pune ndërinstitucional për të koordinuar organizimin e ndeshjeve finale të EURO U-17.
Në ambientet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit u zhvillua mbledhja e parë, ku FSHF u përfaqësua nga anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Pano Xhixho, dhe drejtuesja e Departamentit të Projekteve, Evia Kumria.
Të pranishëm ishin edhe Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, përfaqësues të katër bashkive pritëse, si dhe institucione të tjera kyçe, si Ministria e Turizmit dhe Policia e Shtetit.
Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e FSHF-së prezantuan rëndësinë e aktivitetit, ecurinë e deritanishme të punimeve dhe pikat ku duhet punuar për të organizuar me sukses Kampionatin Evropian U-17 “Shqipëri 2025”.
Në javët në vazhdim do të zhvillohet mbledhja e radhës e grupit të punës ndërinstitucional, ku do të përcaktohet ndarja e detyrave dhe përgjegjësive ndërmjet institucioneve dhe anëtarëve të grupit të punës, për të realizuar një koordinim sa më të efektshëm.