Filmi do të shfaqet në kinema më 24 prill 2026 dhe ka në rolin kryesor nipin e këngëtarit, Jaafar Jackson, i cili interpreton xhaxhain e tij me një ngjashmëri mbresëlënëse.

Regjinë e mban Antoine Fuqua  i njohur me filmat “Training Day”, “The Equalizer”, ndërsa skenari është shkruar nga John Logan i filmave “Gladiator” dhe” Skyfall”.

Historia ndjek rrugëtimin e Jackson nga fëmijëria me grupin “Jackson Five” deri në kulmin e famës si një nga artistët më me ndikim në botë. Filmi përpiqet të paraqesë jo vetëm anën e tij artistike, por edhe momentet më personale të jetës së tij, duke u përqendruar te pasioni, krijimtaria dhe ndikimi i tij kulturor.

Megjithatë, që pas publikimit të trajlerit, reagimet kanë qenë të ndryshme. Shumë fansa janë të emocionuar për rikthimin e historisë së Jackson në ekran dhe për ngjashmërinë e madhe të aktorit kryesor, ndërsa të tjerë e kritikojnë projektin si një përpjekje për të “zbardhur” figurën e artistit dhe për të shmangur temat e ndjeshme që e shoqëruan gjatë jetës.

Regjisori i dokumentarit “Leaving Neverland”, Dan Reed, e ka quajtur filmin një glorifikim të padrejtë, duke theksuar se “mungesa e reagimeve kritike tregon se ndikimi i Jackson vazhdon edhe pas vdekjes”.

Këto komente kanë ringjallur debatin e vjetër mes atyre që e shohin Jackson si një gjeni muzikor dhe atyre që mendojnë se historia e tij duhet trajtuar me më shumë ndershmëri.

Megjithatë, producentët e “Michael” shpresojnë që filmi të arrijë sukses global, i ngjashëm me “Bohemian Rhapsody”, që fitoi mbi 900 milionë dollarë. Madje, ekzistojnë edhe spekulime se biografia mund të ndahet në dy pjesë, për të përfshirë më plotësisht jetën dhe trashëgiminë e një prej artistëve më të mëdhenj të shekullit XX.