Gjashtë nxënës të gjimnazit “Qemal Stafa” kanë krijuar një fermë moderne të modeluar sipas parimeve të teknologjisë së gjelbër.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau në rrjetet sociale një video ku nxënësit Deana, Nerajda, Ani, Kleanthi, Kamela dhe Era shpjegojnë si e kanë krijuar këtë fermë moderne, ku ndërthuren sistemet hidrike me panelet diellore.
“Ky projekt inovativ i klubit STEM është vlerësuar me çmime në garat kombëtare, ndërsa në rang ndërkombëtar nxënësit e “Qemal Stafës” kanë përfaqësuar me dinjitet Shqipërinë në Finlandë, arritje që tregojnë më së miri aftësitë që nxënësit tanë kanë zhvilluar në laboratorët shkencorë në shkollat tona”, theksoi Manastirliu.
Deana Adri tha se “ne kemi krijuar një fermë moderne ku me anë të ndërlidhjes së sistemeve hidrike me panelet diellore dhe dronëve bujqësore kemi arritur në modernizimin e bujqësisë shqiptare”.
Ndërsa Nerjada Elezi tha se “projekti ynë fokusohet tek energjia diellore, e cila është një nga burimet më të pastra të energjisë së ripërtërishme, e cila thith energjinë diellore dhe e kthen në energji elektrike dhe termike”.
Pajisja e shkollave me laboratorë të biologjisë, fizikës dhe kimisë në shkolla të arsimit bazë dhe të mesëm krijon një mjedis të avancuar për të nxitur aftësitë shkencore dhe eksperimentale të nxënësve.
Laboratorët STEM janë një hap i rëndësishëm për modernizimin e sistemit arsimor, duke u dhënë nxënësve mundësinë për të zhvilluar aftësitë praktike në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë. Përveçse nxisin kreativitetin dhe bashkëpunimin, këto laboratorë ndihmojnë në përgatitjen e nxënësve për tregun e punës dhe për karriera të suksesshme në fusha që kërkojnë ekspertizë shkencore dhe teknologjike.