Kryevepra e Pablo Pikasos e vitit 1932 “Femme A La Montre” u shit dje për gati 140 milionë dollarë në një ankand në Nju Jork. “Kjo është vepra e dytë më e shtrenjtë e Pikasos e shitur ndonjëherë në ankand, duke arritur vlerën e 139,4 milionë dollarëve”, tha shtëpia e ankandeve “Sotheby’s”. Në vitin 2015, “Les Femmes d’Alger (Version ‘O’)” e Pikasos u shit në ankandin “Christie’s” në Nju Jork për 179 milionë dollarë. “Sotheby’s” tha se piktura e vitit 1932, një portret i të dashurës së tij Marie-Thérèse Walter, u ble nga koleksionistja Emily Fisher Landau në vitin 1968. Fillimisht nuk u zbulua se kush e bleu pikturën të mërkurën. Së bashku me pikturat e Pikasos, rreth 120 vepra arti të tjera do të shiten në ankandin dyditor.