Një premtim që u kthye shpejt në realitet.
Pas miratimit të vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së në mbledhjen e fundit, për të përfshirë fëmijët e Luginës së Preshevës në projektet “Uniforma ime” dhe “Topi yt”, një delegacion shqiptar udhëtoi drejt kësaj treve për të bërë realitet ëndrrën e dhjetëra fëmijëve shqiptarë dhe për të vijuar mbështetjen e tyre.
Delegacioni shqiptar i përbërë nga Anila Basha, anëtare e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Andi Zëre, drejtor i Futbollit Bazë në FSHF, dhe Migjen Basha, ish-futbollist i Kombëtares, ishte i pranishëm në këtë aktivitet emocionues së bashku me kryetaren e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetarin e komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, përfaqësues të tjerë të futbollit në Preshevë, si edhe prindër e dhjetëra vogëlushë që ëndërrojnë të bëhen futbollistë.
Këto uniforma janë pjesë e një nisme më të gjerë, që këtë sezon, për të tretin radhazi do t’u mundësojë bazë materiale falas rreth 20 mijë fëmijëve futbollistë, nga mosha U-7 deri në U-19 në të gjithë Shqipërinë. Po ashtu, u dhuruan topa falas edhe për 15 ekipe fëmijësh në këtë zonë, në kuadër të projektit “Topi yt”.
Anëtarja e KE-së mbajti një fjalë të shkurtër përpara të pranishmëve në këtë aktivitet, duke e cilësuar si një premtim të mbajtur të FSHF-së dhurimin e uniformave falas për fëmijët e Preshevës.





