Në ditën e dytë dhe të fundit të vizitës së tij në Shqipëri, Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s, QU Dongyu u takua me fermerë të vegjël dhe ekspertë të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Drejtori i Përgjithshëm u prit nga rektori, Fatbardh Sallaku dhe së bashku zhvilluan një tur vizite rreth ambienteve të Universitetit, duke përfshirë një objekt agroturistik, një laborator për testimin e tokës dhe ujit dhe një laborator për monitorimin e ujërave të ndotura. FAO dhe Universiteti Bujqësor i Tiranës kanë bashkëpunuar në fusha të ndryshme prej shumë vitesh dhe aktualisht po punojnë së bashku për ruajtjen e burimeve gjenetike bimore. Rektori shprehu dëshirën e tij për zgjerimin e partneritetit, ndër të tjera, për mbrojtjen e burime gjenetike shtazore. Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s, theksoi interesin e organizatës së tij në forcimin e shkencës, inovacionit dhe partneriteteve. Ai vuri në dukje gjithashtu se, Universiteti mund të bëhet një platformë e rëndësishme për dialogun dhe shkëmbimin e njohurive për transformimin e sistemit agroushqimor të Shqipërisë. Potenciali i pashfrytëzuar i vijës bregdetare të Shqipërisë është gjithashtu elementi kyç, tha QU, Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s. Delegacioni i FAO-s vizitoi edhe fermën Uka pranë Tiranës, drejtuar nga babë e bir, e cila përdor praktika të qëndrueshme duke i kushtuar një vëmendje të veçantë biodiversitetit. Një vizitë në një fermë blegtorale ofroi një panoramë për gratë agro-sipërmarrëse. Drejtori i Përgjithshëm i FAO-s, përmbylli udhëtimin e tij në terren në agroturizmin “Mrizi i Zanave”, i cili drejtohet nga agro-sipërmarrësi dhe shefi i kuzhinës Altin Prenga. FAO ka ofruar trajnime në këtë rajon dhe paketa higjienike për prodhimin e qumështit për 21 fermerë në shkallë të vogël, të cilët janë të ndërlidhur me dërgimin e prodhimit të tyre në fermën agroturistike. Drejtori i Përgjithshëm QU shprehu gjithashtu vlerësimin e tij për një grup fermerësh vendas që ishin mbledhur në ambientet e agroturizmit. ATA