Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e OKB-së (FAO) ka bërë të ditur se çmimet globale të ushqime në muajin mars kanë shënuar rënie për të 12-in muaj radhazi, si pasojë e rënies së çmimeve të drithërave dhe vajrave vegjetale. Indeksi i çmimeve të ushqimit i FAO-s në muajin mars ishte mesatarisht 126.9 pikë, duke regjistruar një rënie prej 2.1 për qind krahasuar me muajin shkurt të këtij viti dhe 20.5 për qind nga kulmi që arriti në muajin mars të vitit 2022. Indeksi i çmimeve të ushqimit i FAO-s bazohet në gjurmimin e çmimeve të tregut ndërkombëtar të pesë grupeve kryesore të mallrave ushqimore. Indeksi i çmimeve të drithërave ra 5.6 për qind nga muaji i mëparshëm, me çmimet ndërkombëtare të grurit që ranë 7.1 për qind për shkak të prodhimit të fortë në Australi, përmirësimit të kushteve të të korrave në Bashkimin Evropian (BE), rritjes së furnizimeve nga Rusia dhe eksporteve të vazhdueshme ukrainase nga portet e saj të Detit të Zi. Indeksi i çmimeve të vajit vegjetal ra 3 për qind nga muaji shkurt, pasi furnizimet e bollshme botërore dhe kërkesa globale e ulët për importe rënduan kuotat e vajrave të sojës dhe të lulediellit. “Përderisa çmimet ranë në nivel global, ato ende janë shumë të larta dhe vazhdojnë të rriten në tregjet e brendshme, duke paraqitur sfida shtesë për sigurinë ushqimore. Kjo është e vërtetë veçanërisht në vendet në zhvillim neto importuese të ushqimit, me situatën e rënduar nga zhvlerësimi i monedhave të tyre kundrejt dollarit apo euros dhe barrës së borxhit në rritje”, tha Maximo Torero, shef i sektorit ekonomik në FAO. Indeksi i çmimeve të qumështit ra 0.8 për qind në muajin mars, falë kuotave më të ulëta të çmimeve për djathin dhe pluhurave të qumështit, ndërkohë që çmimet e gjalpit u rritën. Nga ana tjetër, indeksi për sheqerin dhe mishin në muajin mars gjithashtu janë rritur, përkatësisht me 1.5 për qind dhe 0.5 për qind. Indeksi i çmimeve të sheqerit arriti nivelin më të lartë që nga tetori i vitit 2016, duke reflektuar shqetësimet mbi perspektivat në rënie të prodhimit në Indi, Tajlandë dhe Kinë. atsh