Vija bregdetare e thyer, ujërat e kristalta bruz dhe çmimet e perballueshme e bëjnë këtë vend, destinacionin e përsosur për pushime, shkruan Alice Scarsi në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”. Pavarësisht nga vija e saj bregdetare prej 279 miljesh, e mbushur me plazhe me rërë të artë dhe pyje të bukur, Shqipëria mbetet një Perlë e Evropës, e cila deri para disa vitesh nuk njihej nga turistët si një destinacion pushimi. Ata që e kanë zbuluar, shpesh e kanë krahasuar me “Maldivet e Evropës” falë ujërave jashtëzakonisht të pastra dhe vendpushimeve të qeta. Riviera Shqiptare, me pamje nga detet Adriatik dhe Jon, është më pak se tre orë larg me fluturim nga Britania e Madhe dhe kushton shumë më pak se një udhëtim në Azinë Jugore. Në të vërtetë, ky destinacion është i përsosur për turistët me buxhet të limituar. Fluturimet nga Londra në Tiranë kushtojnë më pak se 100 paund në pikun e sezonit, ndërsa një vakt kushton mesatarisht 5 paund. Ndërsa një krikëll birrë kushton rreth 1,10 paund, një gotë verë është pak më e shtrenjtë, mesatarisht 1,70 paund. Shqipëria mbetet e përballueshme edhe kur bëhet fjalë për akomodimin, pasi dhomat buzë plazhit kushtojnë deri në 25 paund. Në varësi të nevojave dhe preferencave të turistëve, ka zona të ndryshme për t’u eksploruar në vend. Një nga perlat e Rivierës Shqiptare është Vlora, e cila ndodhet midis deteve Adriatik dhe Jon dhe ofron ujëra të pastër dhe plazhe të bukura me rërë.