Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi mori pjesë në pritjen zyrtare të organizuar në Paris nga ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu, me rastin e panairit ndërkombëtar “EUROSATORY”. Ndërsa ndau në rrjetet sociale momente nga kjo pritje, Peleshi vlerësoi se ky panair është një platformë e shkëlqyer për të zbuluar mundësi të reja për bashkëpunim e inovacion në fushën e mbrojtjes. Në panairin ndërkombëtar EUROSATORY që po mbahet në Paris, është prezantuar edhe prototipi i parë i makinës ushtarake shqiptare “Shota”. Shqipëria merr pjesë për herë të parë e përfaqësuar nga një kompani 100% shqiptare në këtë panair, ku marrin pjesë rreth 2 mijë kompani nga e gjithë bota. Automjeti është i pajisur me një teknologji të avancuar dhe mund të përdoret në një gamë të gjerë operacionesh ushtarake dhe civile, përfshirë transportin e trupave, operacionet e shpëtimit dhe misionet e sigurisë. Qëllimi i krijimit të kësaj makine është fuqizimi i industrisë ushtarake shqiptare dhe jo vetëm. Në panairin EUROSATORY në Paris marrin pjesë delegacione nga shtete të ndryshme, si dhe përfaqësues nga SHBA dhe NATO, dhe do të zgjasë nga data 17 deri në 21 qershor.
“EUROSATORY” : Platformë e shkëlqyer për bashkëpunim në inovacion
RELATED ARTICLES