Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se Shqipëria emetoi javën e kaluar një eurobond me vlerë 600 milionë euro. Sipas saj, kuponi ishte 5.9 %. “Pati një kërkesë të lartë për eurobondin, mbi dyfishin e vlerës që u pranua. Kjo tregon se investitorët kanë interes në Shqipëri dhe se ekonomia shqiptare është duke u rritur me hapa të qëndrueshëm dhe shihet si një potencial i mirë për investim”, deklaroi ministrja. Ajo theksoi se norma e interesit ishte më e lartë se eurobondi i emetuar në vitin 2021 Kjo sipas saj, si pasojë e kushteve të shtrënguara të financimit ndikuar nga lufta në Ukrainë. “Në vitin 2021 normat e interesit të Bankës Qendrore Europiane ishin negative, ndërkohë sot është 3.75 %. Spredi ndërmjet kuponit që u mor dhe normave efektive të BQE-së është më i ulët se ai që ishte në të kaluarën”, tha ajo. Kjo është hera e gjashtë që vendi ynë i drejtohet tregjeve ndërkombëtare të kapitalit me instrumentin e eurobondit. Eurobondi i parë është emetuar në vitin 2010 (me vlerë 300 milionë euro, maturim 5-vjeçar dhe interes 7.5 %) dhe është shlyer në vitin 2015. Eurobondet e mëpasshme dhe të cilat janë ende aktive (të pashlyera plotësisht) janë: Eurobondi i emetuar në vitin 2015 (me maturim 5-vjeçar), në vlerë prej 450 milionë eurosh dhe me një normë interesi 4.75 %, eurobondi i emetuar në vitin 2018, në vlerën prej 500 milionë euro, me maturim 7-vjeçar dhe normë interesi 3.5 %. Më 9 qershor 2020, Republika e Shqipërisë doli me sukses në tregjet ndërkombëtare me një obligacion ndërkombëtar të ri 7-vjeçar në vlerën prej 650 milionë € me një kupon prej 3.5 %. Shqipëria mbylli në mesin e muajit nëntor 2021 daljen e saj të pestë në tregjet e kapitalit eurobondin prej 650 milionë euros me një kupon prej 3.5 % me interes 3.75 %. Gjatë emetimeve të njëpasnjëshme Shqipëria ka shënuar sukses, duke mundësuar emetime me kosto gjithnjë e më të ulëta, kjo për shkak të kredibilitetit të rritur në sytë e investitorëve.