Në tregun e këmbimit valutor vendas, të enjten euroja humbi sërish terren në raport me lekun. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euroja u këmbye të enjten me 112.04 lekë, ose 0.26 lekë më pak se ditën e mërkurë, duke shënuar nivelin më të ulët në këto vitet e fundit. Kursi i këmbimit të euros ka rënë me 1.9 % që nga fillimi i vitit dhe me 7 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjithashtu terren humbi edhe monedha e gjelbër amerikane. Dollari amerikan zbriti me 0.76 lekë dhe këmbehet me 106.21 lekë. Paundi britanik krahasuar me një ditë më parë, humbi terren me 0.51 lekë, duke prekur nivelin 127 lekë. Ndërsa franga zvicerane këmbehet me 114.11 lekë, ose 0.14 lekë më pak se ditën e mërkurë.