ak javë më parë, UEFA vendosi t’i besojë FSHF-së dhe Shqipërisë mikpritjen e finaleve të Kampionatit Europian 2025 për grupmoshën U-17, një nga ngjarjet më madhore sportive që pritet të zhvillohet në vendin tonë, pas finales historike të UEFA Conference League më 25 maj 2022. Ndeshjet finale të këtij kompeticioni eurpian do të zhvillohen në katër stadiumet shqiptare, “Air Albania Stadium”, “Elbasan Arena”, “Loro Boriçi” dhe “Arena Egnatia”. Me marrjen e të drejtës së organizimit të një kompeticioni kaq madhor, UEFA ka sjellë në Shqipëri përgjatë kësaj jave një grup pune, i cili ka zhvilluar vizitën e parë inspektuese në 4 qarqe të Shqipërisë ku do të luhen takimet finale. Për zhvillimin e një kompeticioni të tillë kërkohen veç stadiumeve, edhe 8 qendra stërvitore me fusha me bar natyral, të cilat do të jenë në aksin Shkodër-Tiranë-Durrës, kjo edhe për shkak të numrit të hoteleve me kushte specifike që kërkohen. Delegacioni i UEFA-s, i shoqëruar nga disa përfaqësues të FSHF-së zhvilloi një tur në qytetet e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Rrogozhinës e Shkodrës, duke vlerësuar infrastrukturën, terrenet sportive dhe stërvitore si edhe hotelet ku do të akomodohen ekipet finaliste. Gjatë ditëve në vijim pritet që grupi i punës së UEFA-s të sjellë edhe një raport të parë mbi investimet shtesë në infrastrukturën e stadiumeve dhe veçanërisht fushave stërvitore, ku pritet një bashkëpunim i ngushtë mes FSHF-së, pushtetit qëndror e atij vendor. Kjo është vizita e parë inspektuese e grupit të punës të ngritur nga UEFA për organizimin e ndeshjeve finale të Kampionatit Europian 2025 për djemtë e grupmoshës U-17. Në muajt në vazhdim do të ketë të tjera vizita inspektuese përpara se të të nisë puna në terren për përgatitjet e finaleve.