Federata Shqiptare e Futbollit ka nxjerrë në shitje biletat për sfidën radhës së kuqezinjve, atë ndaj Polonisë. Ndeshja do të luhet në datën 10 shtator 2023, në orën 20:45, në “Air Albania Stadium”, Tiranë. Sfida është e vlefshme për grupin “E” të fazës së kualifikimeve për finalet e Europianit të vitit 2024, që do të luhen nga data 14-qershor deri në 14 korrik të vitit 2024, në Gjermani. Çmimi i biletave varion nga 2000 lekë deri në 6000 lekë, në varësi të pozicionit. Kështu, biletat për të aksesuar tribunat pas porte, apo që njihen tanimë si tribunat “N”, “S” kushtojnë 2000 lekë. Tribunat këndore “S”, “N” dhe “E”, e kanë vlerën 2500 lekë. Ndërsa tribuna për karshi, që tashmë njihet si tribuna “E”, varion nga 4000-6000 lekë. Shqipëria pas tre ndeshjeve të para në Grupin “E” mban vendin e dytë. Kuqezinjtë kanë grumbulluar 6 pikë në total, duke qenë 1 pikë përpara se Polonia dhe një pikë më pak se Çekia. Sipas kalendarit, kuqezinjtë në shtator fillimisht do të luajnë në transfertë në Çeki dhe më pas, do të luajnë në Tiranë ndaj Polonisë. Këto dy sfida, do të jenë vendimtare për të kuptuar ambicien e kombëtares shqiptare të futbollit në këto kualifikuese. atsh