– Rregulla të reja për ata që udhëtojnë në Britninë e Madhe do të hyjnë në fuqi nga 2 prilli, kur do të jetë e nevojshme të kenë një Autorizim Elektronik Udhëtimi (ETA), për të udhëtuar nëpër Kanal.

Nga data 5 mars është e mundur të fillohet aplikimi për ETA dhe dje ka nisur edhe fushata e informimit publik e cila do të përdorë mediat tradicionale dhe platformat kryesore online (Facebook, X, Instagram, LinkedIn), për të informuar sa më shumë qytetarë për këtë kërkesë të re për të udhëtuar drejt ishullit nga data 2 prill.

Të gjithë vizitorët, përfshirë të miturit, të cilët nuk kanë nevojë për vizë qëndrimi të shkurtër në Mbretërinë e Bashkuar ose që nuk kanë ndonjë status imigrimi në ishull duhet të aplikojnë dhe të marrin një ETA për të udhëtuar ose për të kaluar tranzit nëpër Britani.

“Ne duam që sa më shumë qytetarë të jenë të vetëdijshëm për këtë lajm të rëndësishëm, kjo është arsyeja pse ne po nisim sot një fushatë informuese me shumë kanale’’, theksojnë zyrtarëy britanikë.

Shpresa është që askush nuk duhet ta gjejë veten në situatën që të duhet të udhëtojë në Britani pa autorizimin e nevojshëm elektronik nga 2 prilli e tutje.

ETA është “në përputhje me qasjen e marrë nga shumë vende të tjera për sigurinë kufitare, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Australinë dhe synon “të ndihmojë në parandalimin e ardhjes së individëve që përbëjnë një kërcënim për Britaninë e Madhe.