Sopranoja shqiptare, e famshme ndërkombëtarisht, Ermonela Jaho është fituese e Çmimeve Ndërkombëtare të Muzikës Klasike 2023, me vlerësimin “Artistja e vitit”. Në një postim në rrjetet sociale, Ermonela Jaho shprehet se ndihet e nderuar për këtë titull, duke shtuar më poshtë motivacionin: “Me bukurinë unike të zërit të saj të lavdishëm, drejtuar në mënyrë të sigurt e mrekullisht të shkëlqyeshme, Ermonela Jaho magjeps me estetikën e saj të pastër vokale. Por kjo është vetëm njëra anë e artit të madh të këngëtares, tjetra është prezenca e saj teatrale elektrizuese. Pak këngëtarë e arrijnë një shkallë të tillë, aq të lartë të identifikimit me rolet e tyre, një vërtetësi kaq të plotë dhe emocion thellësisht prekës. Pasi del në skenë, Ermonela Jaho hedh si një mantel personalitetin e saj dhe mishëron plotësisht personazhin që duhet të interpretojë”. Prej vitesh Ermonela Jaho korr suksese njëri pas tjetrit, në skenat e teatrove më prestigjioze të botës. Padyshim ajo është modeli i njeriut që ngrihet me punë dhe ambasadore ekselente e kulturës shqiptare në botë. Vetëm pak ditë më parë ajo pati suksesin e radhës në Metropolitan Opera të Nju Jorkut, me rolin e Violetës. ATSH