Sipas ERE-s, ALPEX nuk ka përfunduar ende ndarjen e llogarive financiare midis aktivitetit të bursës së energjisë dhe aktivitetit si NEMO, gjë që e bën të pamundur llogaritjen e saktë të kostove dhe të ardhurave vetëm për NEMO-n.

ERE thekson se aktiviteti i NEMO-s gjatë vitit 2025 ka qenë i kufizuar dhe se ALPEX ka ushtruar kryesisht funksionin e bursës së energjisë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Për këtë arsye, autoriteti rregullator ka vendosur që për vitin 2026 të vazhdojnë të zbatohen tarifat e miratuara më parë, pa ndryshime.

Në vendim sqarohet se çdo diferencë e mundshme në të ardhura, më shumë ose më pak se sa lejohet, do të rregullohet më vonë, në momentin që ALPEX të paraqesë një kërkesë të plotë dhe të ndarë sipas rregullave përkatëse.

Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare. Palët e interesuara kanë të drejtë të kërkojnë rishikim të vendimit ose të ankohen në gjykatë, sipas afateve ligjore.

Gjatë vitit 2024 në Tregun e Ditës në Avancë u tregtua një volum total prej 1,172,580.58 MWh energji elektrike, me një çmim klerues mesatar prej 112.01 €/MWh. Nga Shqipëria drejt Kosovës u eksportuan 27,816.94 MWh, ndërsa nga Kosova drejt Shqipërisë u importuan 241,097.29 MWh. Ofertat në blerje arritën në 1,534,425.97 MWh, ndërsa ofertat në shitje u regjistruan në nivelin 1,868,626.34 MWh.

Rekordi i tregtimit për një Njësi Kohore të Tregut (MTU) u regjistrua më 19 maj 2024 me 497.87 MWh, ndërsa rekordi ditor i tregtimit u arrit më 23 maj 2024 me 7,816.05 MWh.

Rekordi mujor i tregtimit u shënua në muajin maj me një volum prej 133,906.13 MWh, ndërsa rekordi i rrjedhës së energjisë ndërkufitare u regjistrua në muajin qershor me 41,859.80 MWh nga Kosova drejt Shqipërisë.

Në aspektin financiar, faturimi total i tregut për blerje dhe shitje arriti vlerën 301 milionë euro.