Bordi i Entit Rregullator të Energjisë, në mbledhjen e sotme vendosi mbajtjen të pandryshuar deri në fund të këtij viti të çmimit të energjisë për bizneset e lidhura në nivelin e tensionit 20/10/6 kV. Në mbledhjen e sotme, Bordi miratoi çmimin e shitjes së energjisë elektrike të furnizuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për periudhën 01.08.2022 – 31.12.2022, prej 18.26 Lekë/kWh për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 20/10/6 kV. Bizneset e lidhura në tension të mesëm 6, 10 dhe 20 kV e kishin detyrim që duke nisur nga 1 janari të dilnin në tregun e lirë, por për shkak të krizës së energjisë elektrike në tregjet globale, qeveria vendosi që t’i mbante me një çmim preferencial. Bordi miratoi edhe çmimin të shitjes së energjisë elektrike të furnizuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për muajin gusht 2022, prej 31.29 lekë/kWh për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV. Sipas ERE-s, çmimi për klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV do të vijojë të caktohet çdo muaj.