Presidenti turk Recep Tajip Erdogan ka paralajmëruar kundër izolimit të Rusisë në diskutimet për krijimin e një versioni të ri të një marrëveshjeje për të lejuar eksportin e grurit ukrainas. “Një proces që përjashton Rusinë në çështjen e grurit nuk ka gjasa të jetë i qëndrueshëm,” u tha Erdogan gazetarëve pas samitit të G20 në Nju Delhi. Ai i referohej përpjekjeve për të ringjallur marrëveshjen që lejonte kalimin e sigurt të grurit ukrainas përmes Detit të Zi që Rusia anuloi, duke kërkuar lehtësimin e sanksioneve për të mundësuar eksportet e mallrave të saj. Marrëveshja origjinale u ndërmjetësua nga OKB dhe Turqia verën e kaluar. Frika po rritet se nëse nuk rinovohet, kjo mund të thellojë krizën globale të ushqimit. ”Turqia po vazhdon përpjekjet e saj për të ndërmjetësuar”, tha Erdogan, duke shtuar se ”një rifillim ishte mjaft i mundshëm”. Rusia e ndërpreu marrëveshjen në korrik, duke i dhënë fund kalimit të sigurt të grurit ukrainas nga portet e Detit të Zi të Odessa, Chornomorsk dhe Pivdenny. Marrëveshja origjinale përfshinte një marrëveshje me Rusinë për të lehtësuar eksportin e produkteve ruse të ushqimit dhe plehrave. Presidenti rus Vladimir Putin i tha Erdoganit në fillim të shtatorit se ai nuk dëshiron të kthehet në marrëveshjen e grurit me Ukrainën derisa të plotësohen të gjitha kërkesat ruse. Moska po kërkon lehtësim nga sanksionet perëndimore mbi pagesat, logjistikën dhe sigurimin e transportit. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres ka treguar gjithashtu se ai dëshiron të ringjallë marrëveshjen, duke i bërë disa lëshime Moskës.