Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan kritikoi sërish sot kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për sulmet e Izraelit në Gaza, duke bërë një krahasim mes tij dhe liderit nazist Adolf Hitler. “Çfarë ke ndryshe nga Hitleri?” tha Erdogan në një ceremoni të ndarjes së çmimeve shkencore në Ankara, duke iu referuar bombardimeve të Izraelit në Rripin e Gazës të rrethuar. “A ka ndonjë gjë që Netanyahu ka bërë më pak se Hitleri? Jo”, shtoi Erdogan. “Me mbështetjen e Uashingtonit, qeveria e Netanyahut ka mundur të vrasë mbi 20 000 banorë të Gazës”, tha Erdogan. Autoritetet e Hamasit në Gaza thanë sot se më shumë se 21 000 palestinezë janë vrarë atje si rezultat i luftës. Udhëheqësi turk vazhdoi të kritikojë Gjermaninë për refuzimin e saj për të dënuar Netanyahun për vdekjet e civilëve në Gaza. “Këtë e them qartë shikoni, Gjermania edhe sot vazhdon të paguajë çmimin për atë që bëri Hitleri. Prandaj Gjermania hesht, e ka kokën të ulur”, tha Erdogan. “Ne nuk i kemi borxh askujt, Perëndimi është borxhli, ata nuk mund të flasin, sepse janë borxhli”, shtoi ai. Netanyahu ka reaguar ndaj deklaratave të Erdoganit në platformën e mediave sociale X. “Erdogani, i cili po kryen gjenocid kundër kurdëve dhe që mban rekordin botëror për burgosjen e gazetarëve që kundërshtojnë regjimin e tij, është personi i fundit që mund të na predikojë moralin”, shkroi Netanyahu. Netanyahu akuzoi më tej Erdoganin për “lavdërim” të Hamasit dhe “mikpritje” të zyrtarëve të tij të lartë. Izraeli sulmoi Gazën pas një sulmi të militantëve të Hamasit dhe grupeve të tjera më 7 tetor, i cili vrau më shumë se 1200 persona në komunitetet izraelite pranë kufirit me Rripin e Gazës. Hamasi gjithashtu rrëmbeu rreth 240 pengje nga Izraeli në Rripin e Gazës. Izraeli tha se operacioni i tij ushtarak në Gaza është thelbësor për të çrrënjosur Hamasin dhe për të parandaluar përsëritjen e sulmeve si ai i 7 tetorit. Kjo ishte masakra më e rëndë në historinë e Izraelit.