Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë të organizuar në Dubrovnik, Kroaci, nga Banka Kombëtare e Kroacisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, me temë “Rritja dhe qëndrueshmëria në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL), në një botë më të fragmentuar”.

Në këtë takim dyditor u zhvillua fillimisht një tryezë e rrumbullakët me Drejtoren e Përgjithshme të FMN-së, Kristalina Georgieva, ku morën pjesë ministrat e Financave dhe Guvernatorët e bankave qendrore të vendeve të EQLJL-së.

Gjatë këtij takimi me dyer të mbyllura, Sejko prezantoi zhvillimet kryesore makroekonomike të vendit, ku theksoi se ekonomia shqiptare ka pasur një trend pozitiv zhvillimi.

Rajoni i EQLJL ka arritur një rritje ekonomike të qëndrueshme falë reformave strukturore para anëtarësimit dhe pjesëmarrjes në tregun evropian. Megjithatë ai përballet me sfida të reja si: kalimi në një ekonomi më të gjelbër, demografia e pafavorshme, kostot e larta të energjisë dhe fragmentimi global.

Në konferencë u diskutua roli i ardhshëm i vendeve të EQLJL-së në ekonominë e Evropës dhe reformat e nevojshme për t’u përshtatur me fragmentimin ekonomik, përfshirë përfundimin e agjendës së Tregut Unik.

Integrimi ekonomik është mjaft i rëndësishëm për vendet e rajonit, duke qenë gjithashtu parimi bazë i krijimit dhe funksionimit të Bashkimit Evropian. Ky integrim ka qenë gjithmonë një promotor i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare për forcimin e bashkëpunimit dhe nxitjen e integrimit edhe në fusha të tjera.