Muzeu Historik Kombëtar publikoi online një nga elementet më të vyer të fondit të tij, të njohur si Epitafi i Gllavenicës. Pëlhura e qëndisur me fije ari dhe argjendi është gjetur në Ballsh. Në të paraqitet Krishti i shtrirë në varr. Epitafi përdoret në shërbesën e të Premtes së Madhe dhe sipas traditës, nxirret përreth kishës në përkujtim të varrimit të Krishtit. Epitafi i Gllavenicës daton në vitin 1373 dhe është zbuluar në qilarin e një shtëpie të rrënuar, në afërsi të Ballshit. Gjatësia e epitafit është 211 cm, aq sa gjatësia e një varri të zakonshëm, ndërsa gjerësia 114 cm.
Fjala epitaf vjen nga greqishtja bizantine dhe do të thotë “përmbi-varr” ose siç mund të thuhet ndryshe “mbulesë-varri”. Epitafi i Gllavenicës është i qëndisur me fije ari në mëndafsh të butë nga dora e murgut Savia, me porosi të Gjergj Arianitit. Këtë fakt e vërteton mbishkrimi, i cili gjendet i qëndisur me ar dhe argjend në dy shtylla, pranë kokës dhe këmbëve të Krishtit që paraqitet i pajetë. Epitafi i Gllavenicës është unikal dhe është vlerësuar si i treti në Europë për nga rëndësia në llojin e vet. Epitafi është një nga objektet më të rëndësishëm në Muzeun Historik Kombëtar.