Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALEEmergjencat: Duhet të vazhdojmë të qëndrojmë në alert

Emergjencat: Duhet të vazhdojmë të qëndrojmë në alert

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot në një informim publik për situatën e zjarreve dhe reshjeve në vend se, kanë filluar shenjat e para të trokitjes së sezonit të reshjeve. “Kemi pasur reshje në veri. Mund të ketë situata lokale dhe në orët që vazhdojnë, ndonjë dalje nga shtrati i ndonjë përroi, apo një përmbytje lokale, të cilat sado të vogla dhe të lokalizuara që mund të jenë, mund të shkaktojnë rreziqe dhe deri në humbje të jetës së njerëzve nëse nuk tregojmë kujdes”, tha Peleshi. Ministri u bëri thirrje qytetarëve të jenë të vëmendshëm, të bashkëpunojnë përmes sinjalizimit të hershëm, për çdo situatë emergjence që pikasin. Ai u bëri thirrje edhe bashkive, të cilat theksoi ai, “janë përgjegjëset kryesore për të përballuar emergjencat”. “Prefektët, dua t’i veçoj në punën e jashtëzakonshme që kanë bërë, sidomos në disa qarqe të vendit, pa koordinimin e të cilëve nuk është e thjeshtë të grumbullohen në një kohë të shpejtë forcat e nevojshme për të përballuar emergjencat”, tha Peleshi. “Duhet të vazhdojmë të qëndrojmë në alert, pavarësisht se temperaturat, duke filluar nga këto ditë do të ulen, por mund të ketë një rritje tjetër, mund të ketë përsëri emergjenca, mund të shfaqen emergjencat nga reshjet lokale, kështu që do të na duhet ta mbajmë tempin”, u shpreh ai. Ministri Peleshi falënderoi edhe drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako për punën e kryer. Peleshi nënvizoi se, “ky vit është i veçantë, për faktin se numri i vatrave ka qenë i madh dhe impakti i vogël. Çka tregon që mekanizmi, që po ndërtojmë nën koordinimin shumë të mirë, dhe dua ta falënderoj posaçërisht drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, sepse nuk ka shumë vite që është ndërtuar si strukturë, por nga viti në vit kemi përmirësime. Indikatorët janë numri i zjarreve dhe dëmet që ato shkaktojnë, që vjen gjithnjë e në ulje. Po funksionon gjithnjë e më mirë mekanizmi dhe për këtë dua ta falënderoj dhe ta inkurajoj personalisht që të vazhdojë punën për të ndërtuar një sistem edhe më të mirë, edhe më të përsosur të mbrojtjes civile, sidomos në muajt në vazhdim kur do të kemi edhe aktivizimin e mbështetjes së madhe prej 30 milionë euro nga financimi italian me mjete dhe pajisje dhe gjithë sistemit të mbrojtjes civile kryesisht në nivelin e bashkive, por jo vetëm. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments