Por pse po ndodh kjo?
Trajneri i basketbollit, Lorik Kllokoqi, vlerëson se në vitet e fundit është krijuar një perceptim i gabuar në mesin e klubeve, pasi trajnerët vendas angazhohen kryesisht në situata kur mungojnë mjetet financiare. Ai nënvizon se ky trend është i padrejtë dhe nuk reflekton realitetin, pasi ka pasur raste konkrete kur trajnerë vendas, edhe me buxhete modeste, kanë arritur rezultate të mëdha dhe kanë mposhtur ekipe me resurse shumëfish më të mëdha.
Ish-kryetari i “KB Prishtinës”, Blerand Stavileci, shprehu mbështetje për trajnerët vendas dhe njëkohësisht kërkon më shumë profesionalizëm dhe vetëkritikë nga vet ata.
Nga ana tjetër, kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ndalet te struktura dhe kushtet në të cilat punojnë trajnerët vendas, duke theksuar se numri i tyre është relativisht i vogël dhe se pjesa më e madhe nuk e ushtrojnë profesionin e trajnerit si punë primare. Sipas tij, kjo gjendje ndikon drejtpërdrejt në nivelin e profesionalizmit dhe në mundësinë që trajnerët të fokusohen plotësisht në zhvillimin e ekipeve dhe lojtarëve.
Në përpjekje për të adresuar këtë problem, Shoqata e Trajnerëve ka propozuar vendosjen e një pagese shtesë për klubet që angazhojnë trajnerë të huaj, si një masë për të stimuluar punësimin e vendasve.
Paralelisht, Federata e Basketbollit të Kosovës ka nisur hapa konkretë për ngritjen profesionale të kuadrove, duke përfunduar procesin e licencimit “FIBA Level One” dhe duke planifikuar fillimin e nivelit të dytë. Përveç kësaj, vetë trajnerët po investojnë individualisht në edukimin e tyre përmes pjesëmarrjes në seminare ndërkombëtare, duke dëshmuar përkushtimin për të qenë konkurrues në tregun modern të basketbollit.





