Zyra e OBSH-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Drejtorinë Qendrore të OSHKSH-së, organizoi dy takime teknike ndër-institucionale në kuadër të projektit për eliminimin e pajisjeve mjekësore që përmbajnë mërkur, në përputhje me Konventën e Minamatës dhe legjislacionin shqiptar në fuqi.

Sipas njoftimit të zyrës së OBSH-së në vendin tonë, takimet u zhvilluan në Spitalin Rajonal të Dibrës, si dhe në ambientet e Drejtorisë Rajonale të OSHKSH-së në Vlorë. Spitali rajonal i Dibrës dhe spitali rajonal i Vlorës janë përzgjedhur si spitale pilot për këtë fazë fillestare, e cila synon të mundësojë identifikimin, eliminimin dhe zëvendësimin e pajisjeve që përmbajnë mërkur me pajisje moderne, të certifikuara dhe të sigurta për pacientët dhe stafin.

Të dy takimet u organizuan me pjesëmarrjen e ekspertëve të OBSH-së, përfaqësuesve të OSHKSH-së në nivel qendror dhe lokal, profesionistëve të spitaleve rajonale dhe njësive vendore të kujdesit shëndetësor.

Në të dy aktivitetet mori pjesë edhe drejtoresha e OSHKSH Jeta Deda cila prezantoi objektivat e ndërhyrjes dhe udhëhoqi diskutimet teknike.

“Ekspertët e OBSH-së prezantuan formularin standard të inventarizimit dhe udhëzuan pjesëmarrësit mbi mënyrat e sigurta të largimit dhe menaxhimit të pajisjeve ekzistuese, përdorimin e pajisjeve mbrojtëse personale dhe respektimin e protokolleve teknike gjatë gjithë procesit”, thuhet në njoftim.

Drejtues të OSHKSH-së në Dibër dhe Vlorë ritheksuan angazhimin për zbatimin e suksesshëm të projektit, ndërsa Drejtoria Qendrore e OSHKSH-së do të vijojë mbikëqyrjen dhe koordinimin e procesit në të dy spitalet pilot.

Këto takime përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë në sistemin shëndetësor shqiptar dhe mbrojtjes së mjedisit, në përputhje me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe standardet që OBSH promovon.