Në nëntor do të nisin punimet për zgjerimin e aksit rrugor Elbasan -Qafë Thanë. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur garën për ndërtimin e 5.3 kilometrave të para, punimet për të cilin do të nisin në Xibrakë deri në Mirakë. Në një intervistë në medie, kreu i ARRSH-së, Ervis Berberi shpjegoi se si do të jetë gjurma e këtij segmenti i cili do të kthehet në 4 korsi. Berberi bëri të ditur se projekti për zgjerimin e kësaj rruge, parashikon ndërhyrje në rrugën ekzistuese por edhe ndërtim segmentesh të reja në varësi të terrenit. “Muaji nëntor është fillimi i punimeve për 5.3 km e para të këtij korridori. Aksi i parë Xibrak-Mirak do të jetë pjesërisht në gjurmë të reja dhe pjesërisht do të përdoret aksi i vjetër. Xibraka do të mbetet jashtë, duke përdorur mbikalim në nivel dhe një nyje dalëse dhe Miraka do të lidhet me aksin e ri”, u shpreh Berberi. Paralelisht, ARRSH do të kryejë edhe një studim për ndërtimin e bajpasit në Elbasan me qëllim shmangien e qarkullimit në qytet. Elbasan Qafë- Thanë është segmenti kryesorë që lidh juglindjen e vendit, dhe vitet e fundit ka njohur një rritje të ndjeshme të fluksit të qarkullimit.