Akademikët kanë zbuluar një lidhje mes konsumimit të lartë të ushqimeve shumë të përpunuara (UPF) dhe kancerit të mushkërive.

Një ekip ndërkombëtar studiuesish ndoqi shëndetin dhe zakonet ushqimore të mbi 100 000 të rriturve amerikanë, me një moshë mesatare prej 63 vjeç.

Pas një periudhe mesatare prej 12 vitesh, ata identifikuan 1 706 raste me kancer të mushkërive.

Pyetësorët mbi ushqimin zbuluan konsum të lartë të ushqimeve UPF, duke përfshirë akulloren, ushqimet e skuqura, bukën, ëmbëlsirat, biskotat, ushqimet e kripura për snack, drithërat e mëngjesit,  supat e gatshme, margarinën, çokollatat, pijet me gaz, lëngjet e ëmbëlsuara të frutave, hamburgerët, hot dogët dhe picat.

Ekipi hulumtues, i  kryesuar nga akademikë në Kinë, zbuloi se konsumi mesatar i përditshëm i UPF së ishte gati tre porcione në ditë, duke u luhatur nga 0,5 deri në gjashtë porcione.

Ushqimet që përmendeshin më shpesh ishin mishi i përpunuar (si sallami, mortadela etj.) dhe pijet me gaz.

Njerëzit që konsumonin sasinë më të madhe të UPF-së kishin 41% më shumë gjasa të zhvillonin kancer të mushkërive, krahasuar me ata që konsumonin më pak, sipas artikullit të publikuar në revistën “Thorax”.

U zbulua rrezik i shtuar si për kancerin e mushkërive me qeliza jo të vogla ashtu edhe për atë me qeliza të vogla.

Autorët theksojnë se ata bënë rregullime në të dhëna bazuar në faktin nëse një person pinte duhan apo jo, por nuk morën në konsideratë intensitetin e pirjes së duhanit ,gjë që mund të ndikojë ndjeshëm.

Ata theksojnë gjithashtu se “nuk mund të përcaktohet një lidhje shkak-pasojë” nga këto zbulime, dhe të dhënat duhet të interpretohen me kujdes.

Ata shtuan gjithashtu se “kufizimi i tendencave të konsumit të UPF në mbarë botën mund të ndihmojë në uljen e barrës së kancerit të mushkërive”.

Duke komentuar mbi studimin, profesori Sam Hare, radiolog i mushkërive në ”Royal Free London NHS Trust”, tha se  “një e katërta e rasteve me kancer të mushkërive ndodhin te njerëzit që nuk pinë duhan, prandaj është e nevojshme të hulumtohet nëse faktorë të tjerë mund të jenë të lidhur me këtë sëmundje”.

“Ne gjithashtu e dimë që sistemi imunitar lidhet me zhvillimin e kancerit, kështu që është ide e mirë të bëhen kërkime edhe mbi faktorë si dieta”, shtoi ai.

Megjithatë, nevojiten studime të mëtejshme për të vërtetuar nëse UPF-të shkaktojnë drejtpërdrejt kancer të mushkërive, pasi ky studim nuk merr në konsideratë sasinë e duhanit të konsumuar – e cila dihet se lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e kësaj sëmundjeje”