Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çeli një ekspozitë në nder të 180-vjetorit të lindjes së arbëreshit Zef Serembe (1844-1901). Ekspozita sjell në vëmendje të lexuesit gjithë krijimtarinë e poetit lirik që ndodhet në koleksionet e BKSH-së. Zef Serembe lëvroi gjerësisht lirikën me një tematikë të larmishme, krijoi lirika atdhetare, filozofike, shoqërore e të dashurisë. Në vjershat atdhetare grishi në luftë të hapur kundër pushtuesit osman (“Vrull”, “Dora d’Istrias”). Lirika e tij filozofike-shoqërore dhe e dashurisë pasqyroi konfliktin midis individit dhe shoqërisë së kohës, duke sjellë një hero të ri, kryengritësin individual të vetmuar dhe të zhgënjyer nga jeta. Në poezinë e tij të përshkuar nga një ndjenjë malli, gërshetohen optimizmi e stoicizmi me nota të trishtuara mistike e pesimiste. Poezia e tij është shprehje e kontradiktave dhe e zhgënjimit tragjik që përjetonin intelektualët arbëreshë. Poeti kërkon strehë e ngushëllim te feja, po edhe ajo nuk e qetëson. Nota e re kushtruese që dallon lirikën atdhetare dhe një pjesë të lirikës shoqërore të Serembes gjeti shprehje kryesisht përmes stilit patetiko-oratorik; motivet e zhgënjimit, të vetmisë, konflikti me shoqërinë, gjetën shprehje kryesisht përmes stilit liriko-introspektiv. Ky i fundit harmonizohet me veçoritë e individualitetit krijues të Serembes, të spontanitetit gati naiv, që e bën poezinë e tij të freskët e komunikuese. Poezia e S. është një poezi ngjyrash e dritash të forta. Figurat e tij më të dashura janë antitezat, metafora e simbolet. Zef Serembe. vijoi traditën e ndikimit nga poezia popullore. Shumë prej krijimeve të Serembes (poezi, drama dhe një përkthim i Psalmeve të Davidit), që ai shpesh i rishikonte e i ndryshonte, humbën gjatë jetës së tij endacake. Sa qe gjalle ai botoi vetëm: “Poesie italiane e canti originali tradotti dall`àlbanese” (Poezi italisht dhe këngë origjinale të përkthyera nga shqipja – Kozencë, 1883)/ Solli në italisht dhe shqip; “Il reduce soldato, ballata lirica” (Kthimi i ushtarit, baladë lirike), vargje vetëm në italisht; “Sonetti vari”, një përmbledhje prej 42 sonetesh me një parathënie, me një shkrim të imtë të ndrydhur në vetëm 4 faqe. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSH-së.